Familjet dhe konsumatorët e vegjël në Serbi nga 1 tetiru do të paguajnë më shtrenjtë për energjinë elektrike. Çmimi mesatar i rrymës është rritur për rreth 6.6 për qind, ndërsa ndryshime të tjera prekin edhe kufirin e konsumit për hyrjen në “zonën e kuqe”, ku tarifat janë dukshëm më të larta.
Deri më tani, ky kufi ka qenë 1.600 kilovat-orë në muaj, por tashmë konsumatorët do të hyjnë në këtë zonë sapo të kalojnë 1.200 kWh. Ky ndryshim pritet të ndikojë në mënyrë të veçantë familjet me konsum më të madh, të cilat do të përballen me fatura më të larta më herët gjatë muajit.
Sipas çmimores së re të Elektroprivredës së Serbisë (EPS), tarifa më e lirë në zonën e gjelbër, që përfshin konsumin deri në 350 kWh, rritet nga 2,2773 në 2,4034 dinarë për kilovat-orë, ndërsa tarifa më e lartë në të njëjtën zonë nga 9,1092 në 9,6136 dinarë. Për konsumin mes 350 dhe 1.200 kWh, që llogaritet në zonën blu, tarifa e ulët rritet nga 3,4160 në 3,6051 dinarë, ndërsa ajo e lartë nga 13,6638 në 14,4203 dinarë.
Ndërkohë, çmimet më të larta do të aplikohen për “zonën e kuqe” të konsumit, pra për çdo kilovat-orë mbi 1.200 kWh. Këtu tarifa e ulët kalon nga 6,8319 në 7,2102 dinarë, ndërsa ajo e lartë nga 27,3276 në 28,8407 dinarë.
Të gjitha çmimet janë të shprehura pa TVSH.
Rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe ulja e pragut për zonën e kuqe shihet si një masë që do të rëndojë buxhetet familjare, veçanërisht për ata që kanë nevojë për më shumë energji gjatë muajve të dimrit.