Departamenti amerikan i Energjisë njoftoi mbylljen e 223 projekteve, shumica e të cilave iniciativa për energji të pastër dhe energji të rinovueshme të financuara nën administratën e mëparshme të ish-presidentit Joe Biden.
Në një njoftim për shtyp, departamenti bëri të ditur se kishte identifikuar 321 grante financiare që mbështesnin 223 projekte që vendosi t’i mbyllte, pasi nuk përmbushin standardet ekonomike, të sigurisë kombëtare ose të sigurisë energjetike të nevojshme për të justifikuar investimet e vazhdueshme, shkruan “Xinhua”.
Russell Vought, drejtori i Buxhetit në Shtëpinë e Bardhë, shkroi në një postim në “X” se do të anulohen gati 8 miliardë dollarë në financimin e Mashtrimit të Ri të Gjelbër për të ushqyer axhendën e klimës të së majtës.
Në fund të majit, administrata amerikane zvogëloi fondet për ndihmën financiare për 24 projekte të reja të teknologjisë së energjisë.
Anulimi i fundit është pjesë e një ngrirjeje më të gjerë të financimit pas mbylljes së qeverisë federale, e cila ka bllokuar miratimet për projekte të reja të energjisë së erës dhe diellit, ndërsa lejon që aktivitetet e naftës dhe gazit të vazhdojnë duke përdorur fonde të mbartura, raportuan mediat lokale.