Banorët e fshatit Koliq, në Komunën e Prishtinës, po përballen me mungesë të plotë të energjisë elektrike që nga data 2 tetor, duke shkaktuar një krizë të thellë në jetën e përditshme të komunitetit.
Sipas banorëve, ndërprerjet e gjata dhe të pandërprera të rrymës kanë paralizuar plotësisht jetën në fshat, ndërsa reagimet nga kompania KEDS kanë qenë të paqarta dhe pa ndonjë afat për zgjidhje.
“Prej disa ditësh jemi pa energji elektrike. Nuk kemi ujë të pijshëm, pasi pompimi varet nga rryma; Interneti nuk funksionon, bizneset lokale janë në kolaps dhe fëmijët e të moshuarit po përballen me mungesë të kushteve bazë për jetë normale,” thuhet në ankesën publike që banorët kanë dërguar në redaksi.
Ata theksojnë se mungesa e energjisë ka shkaktuar dëme materiale dhe sociale, ndërsa institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë asnjë përgjigje konkrete.
KEDS: Është zonë malore, kemi angazhuar ekipe shtesë për sanimin e problemit
Pas ankesave të banorëve të fshatit Koliq për mungesën e energjisë elektrike, KEDS ka siguruar se ka angazhuar ekipe shtesë që po punojnë intensivisht në terren për të riparuar dëmet në rrjetin elektrik.
Zëdhënësi i KEDS, Lulzim Krasniqi, ka sqaruar ndër tjera se problemet janë shkaktuar nga dëmet e mëdha të shkaktuara nga moti i lig dhe bora më 2 tetor, të cilat kanë dëmtuar shtyllat dhe përçuesit elektrikë.
”Siç kemi paralajmëruar përmes rrjeteve sociale fundjavën e kaluar, shkaku i borës dhe motit të lig në vendin tonë, janë shkaktuar dëme në rrjetin elektrik shpërndarës. Dëme të tilla janë shkaktuar edhe në fshatin për të cilën ju flisni, ku akoma ka shtylla të thyera dhe përçues elektrikë të dëmtuar”.
”Kjo është një zonë malore, ku terreni i papërshtatshëm e ka bërë edhe më të vështirë intervenimin e ekipeve të terrenit. Pavarësisht kësaj, KEDS-i ka angazhuar edhe ekipe shtesë të Mirëmbajtjes për të sanuar sa më parë dëmet e shkaktuara në rrjet. Edhe sot këto ekipe gjenden në vend dhe po punojnë intensivisht në mënyrë që konsumatorëve të këtij fshati të afektuar t’u rikthehet furnizimi i rregullt me energji elektrike”.
Mungesa e energjisë elektrike po iu shkakton këtyre banorëve vështirësi edhe për të përgatitur ushqime, për ngrohje dhe për të jetuar me kushtet elementare të jetesës.
Nga KEDS nuk kanë dhënë një datë të caktuar se kur pritet të sigurohet energjia elektrike për këta banorë.