Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, nënshkroi sot me drejtoreshën e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për Europën Qendrore dhe Juglindore, Charlotte Ruhe, një memorandum të ri bashkëpunimi që synon të avancojë projektet e depozitimit të energjisë dhe të përmirësojë kuadrin rregullator të sektorit.
Ky memorandum përfaqëson një hap tjetër konkret në drejtim të forcimit të partneritetit midis qeverisë shqiptare dhe BERZH, duke kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve energjetike dhe në rritjen e sigurisë së furnizimit me energji.
“Transparenca, konkurrenca dhe besueshmëria janë themelet mbi të cilat po ndërtojmë ankandet ndërkombëtare, të cilat po e forcojnë sektorin energjetik shqiptar dhe po e bëjnë vendin tonë shembull për rajonin”, deklaroi Balluku pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Sipas saj, bashkëpunimi me BERZH është thelbësor për realizimin e objektivit kombëtar që Shqipëria të bëhet eksportuese neto e energjisë deri në vitin 2030.
Nëpërmjet këtij partneriteti, pritet që vendi të përfitojë mbështetje teknike dhe financiare për zhvillimin e projekteve të reja të ruajtjes së energjisë, të cilat do të ndihmojnë integrimin më të plotë të burimeve të rinovueshme në sistemin elektroenergjetik kombëtar.