Gjatë muajit shtator, u mbajt “Coffee Hour” i 11-të, nga Balkan Green Foundation me tematikën “Integrimi i Burimeve të Ripërtritshme të Energjisë (BRE-ve) në Kosovë”.
Gjatë sesionit u prezantuan zhvillimet kryesore në sektor sektorin e energjisë, përfshirë ankandin e parë për energjinë solare (100 MW), përgatitjet për ankandin e parë të energjisë së erës (50–100 MW), rritjen e kapaciteteve të vet-konsumatorëve (deri në 100 MW deri në vitin 2031), si dhe projektet për matje dhe studime në zonat me potencial të lartë për energji të ripërtritshme.
Ndër diskutime mes pjesëmarrësve dhe përfaqësuesve institucionalë, u theksua gjithashtu rëndësia e kuadrit të ri ligjor, thjeshtimit të procedurave dhe sfidat me infrastrukturën e rrjetit.
Pjesëmarrëse në këtë event ishte dhe Besiana Qorraj Berisha, Drejtoreshë e Njësisë për Implementimin e Projekteve nga BRE-të në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë.
Nga diskutimi u nxorën disa rekomandime të qarta dhe të zbatueshme:
- Përfundimi dhe operacionalizimi i kuadrit të ri ligjor
- Krijimi i mekanizmave financiarë transparentë për mbështetjen e investitorëve
- Modernizimi i rrjetit energjetik dhe rritja e kapaciteteve të tij absorbuese
- Nxitja e vet-konsumatorëve (prosumatorëve) dhe fuqizimi i pjesëmarrjes së Kosovës në skenën ndërkombëtare të energjisë së gjelbër
Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Fuqizimi i Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile në Kosovë (EECSOK)”, i cili implementohet nga Community Development Fund – CDF dhe mbështetet nga ambasada Suedeze në Prishtinë.