Home / Lajme / Kosova / ZRRE pjesë e panelit për gratë në energji, organizuar nga CEER në Bruksel

ZRRE pjesë e panelit për gratë në energji, organizuar nga CEER në Bruksel

Këshilli i Rregullatorëve Evropian të Energjisë (CEER) organizoi këtë javë në Bruksel ngjarjen “Women in Energy Awayday”, e cila mblodhi profesionistë nga sektori i energjisë për të diskutuar dhe shkëmbyer përvoja mbi barazinë gjinore në këtë fushë.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe përfaqësuesja e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), znj. Ilirjana Tolaj, e cila ishte paneliste në diskutimin kushtuar nismave dhe politikave që mbështesin përfshirjen e grave në sektorin energjetik. Gjatë prezantimit të saj, ajo foli për zhvillimet e viteve të fundit në fuqizimin e grave në fushat STEM dhe në sektorin e energjisë në veçanti, duke përmendur iniciativat kombëtare, partneritetet strategjike, programet e praktikës dhe mentorimit, si dhe masat e parashikuara në kuadër të Strategjisë së Energjisë 2022–2031.

Tolaj gjithashtu theksoi sfidat që mbeten, përfshirë barrierat strukturore dhe stigmat që ndikojnë në përfaqësimin e grave në këtë sektor. Ajo nënvizoi se ZRRE mbetet e përkushtuar për të avancuar barazinë gjinore në energji, duke mbështetur fuqizimin profesional të grave, përfaqësimin aktiv dhe udhëheqjen gjithëpërfshirëse në të gjitha nivelet e sektorit.