Home / Lajme / Kosova / Ministrja Rizvanolli takon Ndihmës Sekretarin amerikan të Energjisë për bashkëpunim në sektorin energjetik

Ministrja Rizvanolli takon Ndihmës Sekretarin amerikan të Energjisë për bashkëpunim në sektorin energjetik

Ministrja e Financave dhe Industrisë, Hykmete Rizvanolli, ka zhvilluar një takim me Ndihmës Sekretarin e Energjisë për Çështje Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara, Tommy Joyce, ku u diskutua bashkëpunimi dypalësh mes Kosovës dhe SHBA-së në sektorin e energjisë.

Gjatë takimit u vlerësua progresi i arritur në kuadër të programit kompakt të MCC-së, që po mundëson instalimin e baterive për ruajtjen e energjisë dhe nxit investime të reja në kapacitete energjetike. Po ashtu, u diskutua projekti i rehabilitimit të njësisë B2 në termocentralin “Kosova B”, i realizuar nga kompania amerikane General Electric.

Rizvanolli gjithashtu kërkoi mbështetje nga SHBA për lirimin e linjës së transmisionit në kufirin Kosovë–Serbi, e cila aktualisht është e bllokuar nga pala serbe, si dhe për eksplorimin e teknologjive të reja amerikane për kapacitete të ripërtëritshme në Kosovë.

Në fund të takimit, u theksua se partneriteti me Shtetet e Bashkuara vazhdon të jetë një shtyllë kyçe për zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e sektorit energjetik të Kosovës.