Dy antena të mëdha satelitore në Leuk të Zvicrës, dikur të papërdorura, janë transformuar në impiante fotovoltaike për të furnizuar me energji një qendër të dhënash.
Projekti është realizuar nga kompania CKW, pjesë e grupit Axpo, dhe përfshin vendosjen e 307 paneleve diellore në secilën antenë, me një prodhim total vjetor prej rreth 110 megavat orë energji elektrike. Përveç tyre, edhe çatia e ndërtesës është mbuluar me panele që prodhojnë 555 megavat orë në vit.
Falë pozicionit të lartë mbi nivelin e detit dhe strukturës që ndjek lëvizjen e diellit, panelet në antena kanë efikasitet të lartë. Për të përballuar sfidat që lidhen me pjerrësinë dhe hijezimin, janë përdorur inverterë të specializuar dhe sisteme optimizimi që garantojnë performancë të qëndrueshme.
Qendra e të dhënave që ndodhet në këtë kompleks operon tani plotësisht me energji të ripërtëritshme, duke kombinuar burimet diellore me ato hidro.
Sipas drejtuesve të projektit, ky është një shembull se si infrastrukturat e vjetra mund të ri-përdoren në mënyrë të mençur dhe të qëndrueshme për nevoja të reja. Në plan është edhe vendosja e paneleve në një antenë të tretë, gjë që do të rrisë edhe më tej kapacitetin e prodhimit.