Industria evropiane që konsumon shumë energji po përballet me një “vdekje të ngadaltë” për shkak të çmimeve të larta të energjisë, konkurrencës së fortë nga Kina dhe efekteve dytësore të politikave klimatike, paralajmëroi guvernatori i Bankës Kombëtare të Belgjikës, Pierre Wunsch.
Duke folur në Institutin Bruegel në Bruksel, Wunsch tha se politikat aktuale energjetike dhe industriale të BE-së kanë krijuar një sistem të çrregullt subvencionesh, ku trajtimi i sektorëve ndryshon nga vendi në vend. Ai theksoi se industria evropiane përballet me tre sfida kryesore: kostot e larta të reduktimit të emetimeve, energji më të shtrenjtë se konkurrentët dhe mbi-kapacitetin industrial të Kinës.
Sipas tij, energjia “e gjelbër” nuk do t’i zgjidhë plotësisht problemet, ndërsa çmimet më të ulëta të gazit natyror në 5–10 vitet e ardhshme do të ofrojnë vetëm një lehtësim të përkohshëm.
Shtetet e Bashkuara, me gaz më të lirë dhe politika më pak të ashpra klimatike, po shndërrohen në magnet për kompanitë që po braktisin Evropën. Në gjysmën e parë të vitit 2025, importet evropiane të LNG nga SHBA u rritën me 46%.
Wunsch paralajmëroi se Europa nuk mund të mbështetet te avantazhet e përkohshme të çmimit të gazit dhe se pa strategji afatgjata, industritë energji-intensive do të zhvendosen jashtë kontinentit, duke transferuar emetimet, jo duke i ulur ato.
Nga ana tjetër, Pierre-Laurent Lucille, ekonomist i grupit energjetik Engie, tha se elektrifikimi është rruga më e qëndrueshme dhe mund të ulë ndjeshëm kostot dhe emetimet deri në 2035, por kjo kërkon investime të mëdha në rrjetet elektrike dhe infrastrukturë.
Ekspertët paralajmëruan se Evropa rrezikon të humbasë një pjesë të madhe të industrisë së saj të rëndë nëse nuk vepron me politika të koordinuara dhe afatgjata.



