Home / Lajme / Ndërkombëtare / Fondi i Mbështetjes për Energjinë në Ukrainë: Mbi 19 milionë euro pajisje kritike brenda një jave për përballimin e dimrit

Fondi i Mbështetjes për Energjinë në Ukrainë: Mbi 19 milionë euro pajisje kritike brenda një jave për përballimin e dimrit

Gjatë javës 10‑14 nëntor, Fondi i Mbështetjes për Energjinë në Ukrainë (Ukraine Energy Support Fund) ka dorëzuar 19,236,425 € pajisje kritike për sistemin energjetik ukrainas, i cili po përballet me presion të madh për shkak të luftës.

Përkrahja përfshinë turbina, transformatorë, njësi mobile të kogjenerimit, gjeneratorë dhe pajisje të tjera infrastrukturore të rëndësishme, kryesisht në rajonet më të prekura. Këto pajisje synojnë të stabilizojnë furnizimin me energji dhe të përgatitin rrjetin për sfidat e dimrit që po afrohet.

Me këtë dërgesë rekorde, Fondi ka kaluar tashmë vlerën 530 milionë euro në pajisje emergjente të dorëzuara për kompanitë energjetike ukrainase, duke mbështetur operacionet në vijën e parë dhe furnizimin me ngrohje për qytetarët.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë thekson rëndësinë e mobilizimit të shpejtë të ndihmës dhe nevojën për të mbuluar hendekun financiar prej 420 milionë eurosh, në mënyrë që Fondi të vazhdojë të përgjigjet në kohë reale ndaj nevojave të identifikuara nga Ministria e Energjisë e Ukrainës.

Rreth Fondit të Mbështetjes për Energjinë në Ukrainë

Fondi i Mbështetjes për Energjinë në Ukrainë (UESF) është krijuar në bashkëpunim me Komisionin Evropian dhe Ministrinë e Energjisë të Ukrainës si një mekanizëm emergjent për të kundërvepruar goditjeve ndaj infrastrukturës energjetike nga sulmet ruse. Fondi menaxhohet nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë dhe ofron mbështetje financiare për nevoja urgjente të kompanive energjetike në Ukrainë – si blerjen e pajisjeve kritike (turbina, transformatorë), materiale rezervë, karburante dhe shërbime për riparime.

Që nga themelimi në vitin 2022, Fondi ka mbledhur mbi 1.5 miliardë euro nga më shumë se 30 donatorë ndërkombëtarë. Fondi punon sipas një procedure të qartë: kompanitë ukrainase paraqesin kërkesa për mbështetje përmes Ministrisë së Energjisë, ekspertët ndërkombëtarë bëjnë vlerësimin, dhe Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ndërmerr prokurimin dhe pagesën e pajisjeve.

Në vitin 2025, Fondi luan një rol kritik për “dimërizimin” e sistemit energjetik – duke siguruar pajisje për gjenerim decentralizuar, riparime dhe energji të ripërtëritshme për rajonet më të prekura.