Home / Lajme / Tjera / Rusia dhe Kina: 1.3 miliardë dollarë investime në projekte energjetike

Rusia dhe Kina: 1.3 miliardë dollarë investime në projekte energjetike

Një fond i përbashkët Kinë-Rusi ka financuar mbi 40 projekte me vlerë 1.3 miliardë dollarë.

Zëvendëskryeministri rus Alexander Novak, tha në Forumin e 7-të të Biznesit të Energjisë Rusi-Kinë në Pekin, se Rusia synon ta zgjerojë pjesën e marrëveshjeve tregtare të kryera në monedha kombëtare me Kinën.

“Bashkëpunimi i investimeve midis Rusisë dhe Kinës është zhvilluar kryesisht falë rolit aktiv të Fondit të Investimeve Rusi-Kinë. Që nga themelimi i tij, Fondi ka investuar 1.3 miliardë dollarë në mbi 40 projekte, dhe duke marrë parasysh fondet e partnerëve, investimi total ka tejkaluar 7.9 miliardë dollarë. Në të njëjtën kohë, ne do të rrisim pjesën e marrëveshjeve në monedha kombëtare, gjë që do të jetë një hap i rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve tregtare midis vendeve tona”, tha Novak.

Presidenti rus iu drejtua me një mesazh pjesëmarrësve të Forumit të Biznesit të Energjisë Rusi-Kinë.

“Po zbatohen projekte të përbashkëta vërtet në shkallë të gjerë në sektorin e karburantit dhe energjisë – projekte me rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik dhe teknologjik të shteteve tona. Rusia renditet e para në furnizimet me naftë dhe gaz natyror në Kinë dhe po rrit eksportet e saj të qymyrit”, thuhet në mesazhin e Putin, që u lexua nga drejtori Ekzekutiv i Rosneft, Igor Sechin.

Ai theksoi se specialistët rusë dhe kinezë po bashkëpunojnë në mënyrë efektive në ndërtimin e centraleve bërthamore, zhvillimin e burimeve të energjisë miqësore me mjedisin dhe përmirësimin e teknologjive të nxjerrjes dhe përpunimit të burimeve të energjisë.