Home / Lajme / Mjedisi / Qeveria miraton udhëzimin për Inventarin e Gazrave Serrë dhe shpronësime për projekte strategjike

Qeveria miraton udhëzimin për Inventarin e Gazrave Serrë dhe shpronësime për projekte strategjike

Nga mbledhja e sotme e Qeverisë, ku Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) kishte 9 pika në rendin e ditës, u miratua Udhëzimi Administrativ për Inventarin e Gazrave Serrë.

Ky udhëzim vendos mekanizma të qartë për monitorimin dhe raportimin e emetimeve të gazeve serrë, duke garantuar transparencë, saktësi dhe përputhshmëri me standardet ndërkombëtare të IPCC. Ai përcakton gjithashtu kompetencat dhe përgjegjësitë e institucioneve për funksionimin e sistemit të inventarit, duke mbështetur politikat kombëtare për qëndrueshmëri dhe mbrojtjen e mjedisit.

Gjithashtu, Qeveria konfirmoi ligjshmërinë e 8 pikave të tjera që lidhen me shpronësime të nevojshme për projekte zhvillimore me ndikim direkt në jetën e qytetarëve. Mes tyre, në Ditën e Forcës, u miratua shpronësimi i pronave për ndërtimin e Zonës Industriale të Mbrojtjes dhe fabrikës së municionit, një hap kyç për forcimin e sigurisë dhe kapaciteteve të mbrojtjes së vendit.

Qeveria e Kosovës theksoi se veprimet e saj synojnë përmirësimin e kushteve të jetesës, zhvillimin e vendit dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe të qëndrueshme për qytetarët.