Home / Lajme / Rajoni / Shqipëri: Del në konsultim publik ligji i ri “për energjinë elektrike”

Shqipëri: Del në konsultim publik ligji i ri “për energjinë elektrike”

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri ka publikuar për konsultim publik ndryshimet në ligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”.

Qëllimi kryesor i këtyre ndryshimeve është harmonizimi i legjislacionit shqiptar me Paketën e Energjisë së Pastër të Bashkimit Evropian, duke përfshirë dispozitat e rëndësishme që lidhen me tregun e energjisë elektrike.

Kjo nismë vjen si pjesë e angazhimeve të Shqipërisë si palë kontraktuese e Komunitetit të Energjisë dhe në përputhje me detyrimet nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE-në, e cila kërkon përafrimin dhe zbatimin efektiv të legjislacionit europian.

Në relacion thuhet se ligji aktual nuk është i mjaftueshëm për të adresuar sfidat e sektorit energjetik në zhvillim dhe nuk ofron kornizën e nevojshme për promovimin e investimeve në kapacitete gjeneruese të bazuara në treg, depozitimin e energjisë, apo për përfshirjen aktive të konsumatorëve në tregjet e energjisë. Po ashtu, mungon një strukturë e qartë për tregtinë dhe bashkëpunimin ndërkufitar, si dhe për zhvillimin e tregjeve rajonale.

Në këtë kontekst, ndryshimet e propozuara synojnë krijimin e një tregu të integruar energjetik, që siguron çmime të përballueshme dhe të qëndrueshme për konsumatorët, një nivel të lartë sigurie furnizimi, dhe tranzicionin drejt një sistemi me emetime të ulëta të karbonit.

Projektligji i ri fokusohet në promovimin e prodhimit të decentralizuar nga burimet e rinovueshme, zhvillimin e teknologjive të depozitimit të energjisë dhe ndërtimin e objekteve për rikarikim.

Ai gjithashtu mbështet modelet e reja të biznesit që rrisin pjesëmarrjen aktive të konsumatorëve dhe ofrojnë fleksibilitet më të madh në treg. Një tjetër prioritet është mbrojtja e klientëve në nevojë dhe ndërmarrjeve të vogla, duke mbajtur çmimet e rregulluara për ta.

Projektligji parashikon edhe rregulla të drejta për shkëmbimet ndërkufitare, duke përmirësuar konkurrencën dhe integrimin me tregjet rajonale dhe evropiane. Menaxhimi i krizave energjetike merr një rëndësi të veçantë, duke u bazuar në solidaritet dhe transparencë për të siguruar stabilitet dhe funksionim efikas të tregut në situata emergjente.

Ky projektligj është në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Energjisë 2018-2030 dhe Planin Kombëtar të Energjisë dhe Klimës 2021-2030, dhe konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi energjetik më fleksibël, efikas dhe të qëndrueshëm.

Ai synon të ndihmojë Shqipërinë në tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër, përmirësimin e standardeve të jetesës për qytetarët, duke përfshirë përdorimin e teknologjive të reja, dixhitalizimin dhe pjesëmarrjen aktive të konsumatorëve në tregjet e energjisë elektrike.

Në këtë mënyrë, legjislacioni i ri do të mbështesë zhvillimin e një tregu energjetik të integruar, konkurrues dhe transparent, duke e pozicionuar Shqipërinë si një pjesëmarrëse të fuqishme në rrjetin rajonal dhe europian të energjisë.