Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar për situatën, siç e quan ai, të rënduar me energjinë elektrike në vend, duke theksuar se zgjedhjet e fundit nuk do të zgjidhin problemet e përditshme të qytetarëve.
Në një reagim në rrjete sociale, Haradinaj ka përmendur reduktimet e tejzgjatura të energjisë në shumë vendbanime, sidomos në një periudhë kur temperaturat janë të ulëta dhe shumica e qytetarëve ngrohen me energji elektrike. Ai gjithashtu ka theksuar se situata është shqetësuese për qytetarët që po presin të kalojnë pushimet e dimrit në Kosovë.
“Kjo situatë është e papranueshme dhe kërkon veprim të menjëhershëm. Është urgjente të investojmë në kapacitete të reja energjetike, përfshirë ndërtimin e termocentraleve me thëngjill dhe gaz, që të mos vazhdojë kjo traumë për qytetarët tanë, si me mungesë të energjisë ashtu edhe me fatura me çmim përtej çdo normaleje”- ka shkruar Haradinaj, duke kërkuar që siguria energjetike të trajtohet si një urgjencë kombëtare.
Gjatë fundvitit 2025, disa nga rajonet e Kosovës janë përballur me reduktime të energjisë elektrike.
Në javën e fundit të dhjetorit, Kompania për Furnizim me Energji Elektrike në Kosovë (KESCO) ka dërguar mesazhe te qyetarët e Kosovës që të kursehet energjia.
“Konsumi i energjisë është shumë i lartë. Sistemi është i mbingarkuar. Ju lutem kurseni dhe shmangni përdorimin e pajisjeve njëkohësisht”- është mesazhi që u dërgua në adresë të qytetarëve natën e Vitit të Ri.



