Korporata Energjetike e Kosovës, KEK, dhe Korporata Elektrike e Maqedonisë së Veriut, SHA ESM, kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi, me qëllim të përforcimit të bashkëpunimit.
Memorandumi u nënshkrua nga Kryeshefi Ekzekutiv i KEK Sh.A., z. Gramos Hashani, dhe Menaxheri i Përgjithshëm i SHA ESM, z. Lazo Uzunchev. Dokumenti përcakton një kornizë gjithëpërfshirëse bashkëpunimi ndërmjet dy kompanive, me fokus në shkëmbimin e njohurive dhe përvojave profesionale, diversifikimin e teknologjive të prodhimit të energjisë elektrike, si dhe optimizimin e burimeve në funksion të rritjes së efikasitetit dhe shfrytëzimit maksimal të kapaciteteve prodhuese.
Në kontekstin e marrëdhënieve tradicionale miqësore ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe ndërlidhjes ekzistuese të sistemeve energjetike të dy vendeve, ky memorandum konsiderohet një hap i rëndësishëm strategjik drejt forcimit të sigurisë së furnizimit me energji elektrike në nivel rajonal. Bashkëpunimi synon të shfrytëzojë komplementaritetin e teknologjive të prodhimit, duke krijuar bazë për koordinim më të mirë operacional dhe planifikim afatgjatë.
KEK Sh.A. ka riafirmuar përkushtimin e saj për zhvillimin e partneriteteve rajonale dhe ndërkombëtare, si pjesë e vizionit për një sektor energjetik më të qëndrueshëm, më të sigurt dhe më të integruar, në përputhje me sfidat aktuale dhe nevojat në rritje për stabilitet energjetik.



