Reshje bore me intensitet të lartë ka pasur në gjithë teritorin e Bashkive Dibër dhe Bulqizë. Prej ditës së djeshme, në shumë zona mungon energjia elektrike.
Reshje të shumta dëbore kanë mbuluar pjesën më të madhe të veriut të Shqipërisë dhe juglindjen.
Reshje bore me intensitet të lartë ka pasur në gjithë teritorin e Bashkive Dibër dhe Bulqizë. Prej ditës së djeshme, në shumë zona mungon energjia elektrike. Trashësia e borës në njësitë Lurë, Kala e Dodës, Selishtë dhe Muhurr ka kaluar mbi 40 centimetra. Ndërkohë, disa akse janë të bllokuara për shkak të reshjeve të dëborës. Rruga e Arbrit është e kalueshme, por duhet kujdes nga Qafa e Buallit deri në tunelin e Murrizit.
Në qytetin e Peshkopisë, trashësia e borës arrin rreth 20 centimetra. Rruga Peshkopi–Kukës kalohet vetëm me zinxhirë dhe me vështirësi të mëdha. Ndërsa segmenti te Ura e Çerenecit – Librazhd është aktualisht i pakalueshëm, por po punohet për hapjen e tij.
Rruga e Kombit është përfshirë gjithashtu nga moti i keq, teksa është mbuluar nga dëbora. Raportohet për reshje dëbore mbi 300 metër, megjithatë situata mbetet nën kontroll. Borëpastrueset ndodhen në terren, ndërsa autoritetet rekomandojnë shoferët, që të përdorin goma dimërore ose zinxhirë.
Reshjet e dendura të dëborës kanë mbuluar zonat e Pukës dhe Fushë Arrëzit, duke arritur trashësi deri në 25 centimetra. Bashkia e Pukës dhe Shërbimi i Emergjencave Civile po punojnë intensivisht për të mbajtur rrugët të hapura dhe për të kriposur akset kryesore.
Reshjet e dendura të dëborës që kanë rënë gjatë natës në Malësinë e Krujës kanë bërë që shtresa e dëborës të arrijë mbi 25 centimetra, duke shkaktuar bllokimin e aksit rrugor Krujë–Qafë Shtamë.
Reshjet e dëborës kanë përfshirë gjatë mëngjesit të gjithë juglindjen e vendi, megjithatë autoritetet konfirmojnë se të gjitha akset rrugore nacionale që çojnë drejt qytetit të Korçës dhe drejt pikave kufitare janë të kalueshme.



