Home / Lajme / Energjia konvencionale / Kosova dhe tërheqja e SHBA-së nga 66 organizata ndërkombëtare

Kosova dhe tërheqja e SHBA-së nga 66 organizata ndërkombëtare

Nëse defunksionalizohet organizata që në këto vitet e fundit, ose më saktësisht që nga kriza e madhe globale energjetike, ka paralajmëruar sanksione për të gjithë përdoruesit e qymyrit si burim energjetik (SHBA, me vendimin e Trumpit, është tërhequr edhe nga Kompakti për Energji pa Karbon), domosdo do të krijohen mundësi jo të pakta dhe lehtësira për shtetet të cilat kanë resurse të mëdha të qymyrit dhe të cilat, nga frika e sanksioneve, devijuan ndjeshëm kahjet e zhvillimit energjetik në dëm të qymyrit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar vendimin për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga 66 organizata dhe traktate ndërkombëtare, të cilat administrata i konsideroi si “joefektive dhe të dëmshme”.

Dhe, krahas asociacioneve siç janë: Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës, Mekanizmi Ndërkombëtar për Tribunale Penale (pasardhësi i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë), UN Women dhe Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, ose disa organizata të tjera të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Departamentin për Çështje Ekonomike dhe Sociale, Qendrën Botërore të Tregtisë, Komisionin e Ligjit Ndërkombëtar, Zyrën e Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm për Fëmijët në Konflikte të Armatosura, Zyrën e Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm për Dhunën Seksuale në Konflikt, Fondin e OKB-së për Demokraci dhe një sërë organizatash dhe traktatesh të tjera ndërkombëtare.

Me vendimin e presidentit Trump, SHBA është tërhequr edhe nga organizatat të cilat kanë qenë të ndërlidhura dhe mjaft përcaktuese në zhvillimet energjetike në këto vite dhe, sidomos, në vitet e ardhshme. SHBA është tërhequr, siç raportohet, edhe nga Kompakti për Energji pa Karbon, nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, nga Forumi Ndërkombëtar i Energjisë, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë e Ripërtëritshme, Aleanca Ndërkombëtare Diellore dhe nga Konventa Kornizë e OKB-së për Ndryshimet Klimatike.

Me këtë rast, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë se këto organizata janë “antiamerikane ose të padobishme”.

“Nuk do të vazhdojmë të shpenzojmë burime, kapital diplomatik dhe peshën legjitimues të pjesëmarrjes sonë në institucione që janë të parëndësishme për interesat tona ose bien ndesh me to. Ne e refuzojmë inercinë dhe ideologjinë në favor të maturisë dhe qëllimit. Ne kërkojmë bashkëpunim aty ku ai u shërben njerëzve tanë dhe do të qëndrojmë të palëkundur aty ku nuk ndodh”, u tha në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Tani për tani, ky vendim i administratës Trump në Kosovë nuk shënoi ndonjë jehonë të posaçme; madje nuk u dëgjua ndonjë vlerësim, as sipërfaqësor, rreth kësaj çështjeje nga zyrtarët e vendit.

Mirëpo, meqenëse ndër organizatat dhe traktatet ndërkombëtare nga të cilat është tërhequr SHBA janë të përfshira edhe disa asociacione që, në një farë mënyre, kanë përcaktuar politika të zhvillimit energjetik në rajone dhe shtete veç e veç, ndër to edhe asociacioni që ka trajtuar dhe ka paraparë në një të ardhme të afërt taksën e karbonit për të gjithë shfrytëzuesit e qymyrit si burim energjetik, autoritetet e Kosovës dhe ato të sektorit energjetik të vendit duhet sa më parë ta sheshojnë vendimin e presidentit amerikan. Sepse, nëse SHBA heq dorë nga një organizatë siç është Kompakti për Energji pa Karbon, apriori dihet se fati i organizatës bëhet automatikisht i diskutueshëm.

Dhe, nëse defunksionalizohet organizata që në këto vitet e fundit, ose më saktësisht që nga kriza e madhe globale energjetike, ka paralajmëruar sanksione për të gjithë përdoruesit e qymyrit si burim energjetik, domosdo do të krijohen mundësi jo të pakta dhe lehtësira për shtetet të cilat kanë resurse të mëdha të qymyrit dhe të cilat, nga frika e sanksioneve, devijuan ndjeshëm kahjet e zhvillimit energjetik në dëm të qymyrit.

Kështu ka vepruar edhe Kosova, e cila, në një farë mënyre, duke i marrë të mirëqena rekomandimet, madje edhe të ngutshme, të organizatave ndërkombëtare, e shpalli qymyrin si çështje “tabu”, përkundër rezervave kolosale të këtij resursi energjetik që ka Kosova.

Tani, nëse SHBA e shpall inekzistente një organizatë ndërkombëtare që, thënë më së buti, ka vijëzuar ndikueshëm politikat e zhvillimit energjetik, duhet parë urgjentisht nga kompetentët e vendit se a do të amnistohet qymyri si burim energjetik në të ardhmen, në vitet në vazhdim, dhe në këtë mënyrë të harmonizohen politikat e zhvillimit të sektorit energjetik duke e rikthyer resur­sin e pafund që e kemi, thuajse, edhe në sipërfaqe të tokës, dhe të koordinohet mirë bashkëjetesa e kapaciteteve në bazë të qymyrit me ato të energjisë së ripërtëritshme.

Nuk ka tjetër zgjidhje Kosova për ta siguruar energjinë e bollshme për nevojat e qytetarëve dhe të industrisë së vet, nëse nuk e rikthen urgjentisht qymyrin si resursin kryesor energjetik. Kapacitetet, qofshin ato edhe me dhjetëra e më shumë, të energjisë së ripërtëritshme nuk ia sigurojnë perspektivën energjetike Kosovës, as tejkalimin e krizës aktuale.

Një termocentral 500-megavatësh, siç e potencojnë tani, duke konkretizuar të dhëna shpresëdhënëse nga ekspertë dhe njohës të mirë të sektorit, do të ishte zgjidhja fatlume. Prandaj, vendimi i Trumpit duhet të sheshohet dhe të analizohet një orë e më parë nga autoritetet dhe nga ekspertët e energjetikës. Të shihet se për çka bëhet fjalë, fundja, edhe për arsye se Kosovës i nevojitet energjia elektrike si urgjentisht, ashtu edhe në periudha më të gjata. /Buletini Ekonomik