Rritja e prodhimit nga KEK i jep fund problemit të reduktimeve të energjisë elektrike sot në Kosovë. KOSTT njofton se gjendja aktuale është stabilizuar, pas rritjes së prodhimit vendor dhe ndërmarrjes së masave të koordinuara për balancimin e ngarkesës.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka reaguar me shpejtësi, duke rritur prodhimin e energjisë elektrike nga burimet vendore. Ky veprim ka qenë kyç për të garantuar stabilitetin, vazhdimësinë e furnizimit dhe integritetin e rrjetit, thuhet në njoftimin e KOSTT.
KOSTT gjithashtu kërkon nga të gjitha palët në treg që të respektojnë rregulloret operative dhe obligimet kontraktuale, për të siguruar një operim të qëndrueshëm dhe të sigurt të rrjetit elektroenergjetik. Operator i Sistemit mbetet në gjendje gatishmërie dhe do të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për të ruajtur performancën dhe stabilitetin e sistemit.



