Home / Lajme / Kosova / KOSTT dhe AKI diskutojnë sigurinë e infrastrukturës kritike energjetike

KOSTT dhe AKI diskutojnë sigurinë e infrastrukturës kritike energjetike

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) ka pritur në takim Drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti, në kuadër të bashkëpunimit institucional për forcimin e sigurisë së infrastrukturës kritike energjetike në Kosovë.

Takimi u zhvillua nën drejtimin e ushtruesit të detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të KOSTT-it, Shaban Neziri, dhe u fokusua në rëndësinë strategjike të sektorit energjetik, rolin e KOSTT-it në funksionimin e sistemit elektroenergjetik, si dhe në çështjet e sigurisë shtetërore që lidhen me mbrojtjen e infrastrukturës vitale.

Gjatë vizitës, përfaqësuesit e AKI-së u njohën nga afër me punën e KOSTT-it, funksionimin e rrjetit të transmetimit dhe mekanizmat që kontribuojnë në stabilitetin dhe besueshmërinë e sistemit elektroenergjetik të vendit. U diskutuan gjithashtu planet zhvillimore dhe kapacitetet ekzistuese për garantimin e funksionimit të pandërprerë të rrjetit në kushte normale dhe emergjente.

Një theks i veçantë iu kushtua identifikimit dhe adresimit të rreziqeve të mundshme që mund të cenojnë sigurinë e Kosovës, veçanërisht kërcënimeve ndaj infrastrukturës kritike energjetike. Palët diskutuan rëndësinë e parandalimit të akteve të sabotimit dhe ndërhyrjeve që mund të ndikojnë negativisht në stabilitetin e furnizimit me energji elektrike.

Sipas KOSTT-it, bashkëpunimi ndërinstitucional është kyç për shkëmbimin e informatave, koordinimin e masave parandaluese dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës të infrastrukturës vitale. Një qasje e tillë synon të sigurojë reagim të koordinuar dhe qëndrueshmëri më të lartë të sistemit elektroenergjetik përballë sfidave të sigurisë.

KOSTT e ka vlerësuar këtë vizitë si dëshmi të angazhimit të përbashkët të institucioneve të Kosovës për rritjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së infrastrukturës energjetike, e cila konsiderohet një nga shtyllat kryesore të sigurisë kombëtare dhe stabilitetit ekonomik të vendit.