Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka njoftuar se ka parashtruar padi ndaj Janina Imerit, çështje e cila aktualisht ndodhet në shqyrtim nga organet kompetente të drejtësisë. Sipas KEK-ut, ky veprim është ndërmarrë në kuadër të mbrojtjes së integritetit institucional dhe reagimit ndaj deklarimeve që, sipas vlerësimit të korporatës, përmbajnë informata të rrejshme dhe elemente propagande.
Në reagimin e saj publik, KEK thekson se, në përputhje me kompetencat ligjore dhe legjislacionin në fuqi, ka ndërmarrë dhe do të vazhdojë të ndërmarrë masa raportimi dhe veprime ligjore për të ndaluar përhapjen e informatave që dëmtojnë reputacionin e institucionit, përfshirë edhe rastet kur këto deklarime vijnë nga zyrtarë publikë.
Korporata vlerëson se çdo përpjekje për të denigruar punonjësit apo përfaqësuesit e saj, si dhe për t’i atribuar KEK-ut përgjegjësi që nuk i përkasin, është e papranueshme dhe do të ndiqet ligjërisht deri në fund. Sipas njoftimit, qëllimi i këtyre veprimeve është mbrojtja e integritetit institucional dhe parandalimi i keqinformimit të opinionit publik.
KEK po ashtu ka theksuar se nuk ekziston asnjë pengesë për qasjen në informatat zyrtare, të cilat, sipas saj, janë publike, transparente dhe të qasshme përmes ueb-faqes zyrtare të korporatës. Të dhënat e publikuara nga KEK përshkruhen si zyrtare, të verifikueshme dhe të krahasueshme edhe me të dhënat publike të Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT).
Në fund, KEK ka rikonfirmuar përkushtimin e saj ndaj transparencës, informimit të saktë të publikut dhe mbrojtjes së integritetit institucional, duke paralajmëruar se do të vazhdojë të reagojë ndaj çdo rasti që, sipas saj, cenon këto parime.




