Kosova po përballet me një valë zjarresh të shumta nëpër fusha, që po shkaktojnë dëme serioze jo vetëm në mjedis, por edhe në rrjetin elektroenergjetik të vendit.
Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka ngritur alarmin për rrezikun në rritje ndaj infrastrukturës energjetike dhe paralajmëron për ndërprerje të mundshme të energjisë në zonat e prekura.
“Zjarret në terrene të hapura kanë dëmtuar disa nga asetet tona më të rëndësishme,” tha zëdhënësi i KEDS-it në një deklaratë për media. “Kjo nuk është vetëm një çështje e sigurisë së rrjetit, por edhe e furnizimit të pandërprerë me energji për qytetarët.”
Sipas kompanisë, ekipet e mirëmbajtjes janë të angazhuara pa ndërprerje në terren për të riparuar dëmet e shkaktuara nga flakët. Megjithatë, riparimi po merr kohë për shkak të natyrës së vështirë të terrenit dhe shtrirjes së dëmeve.
“Ekipet tona janë vazhdimisht në terren ku janë afektuar asetet e KEDS-it dhe po bëjnë maksimumin që të eliminojnë këto dëme,” tha KEDS në njoftim. “Por, pasojat janë të konsiderueshme dhe rikthimi në normalitet kërkon kohë.”
KEDS i ka bërë thirrje të gjitha qytetarëve për kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë kësaj periudhe me temperatura të larta dhe kushte të thata që e bëjnë terrenin më të ndjeshëm ndaj zjarreve. “Apelojmë tek të gjithë qytetarët që të kenë kujdes maksimal, qoftë te rastet e zjarreve të paqëllimshme, qoftë tek ato të qëllimshme,” thekson kompania, duke shtuar se dëmet materiale dhe infrastrukturore janë të mëdha.
Kompania thekson se “kujdesi i secilit prej nesh është jetik për të mbrojtur jo vetëm natyrën, por edhe rrjetin elektroenergjetik nga i cili varet mirëqenia e të gjithëve.”
Autoritetet lokale dhe shërbimet emergjente kanë bërë gjithashtu thirrje për vigjilencë dhe raportim të menjëhershëm të çdo zjarri, ndërsa hetimet për zjarret e dyshimta janë duke vazhduar.
/Photo by fabian jones on Unsplash