Home / Lajme / Rajoni / Shqipëri: Familjet që prodhojnë energji me panele do të paguajnë tarifat e rrjetit dhe disbalancat

Shqipëri: Familjet që prodhojnë energji me panele do të paguajnë tarifat e rrjetit dhe disbalancat

Familjat që kanë instaluar panele fotovoltaike dhe prodhojnë energji elektrike për nevojat e tyre do të paguajnë disbalancat dhe tarifat e rrjetit.

Ministria e Energjisë ka hartuar një projektligj të ri për sektorin e energjisë, i cili ndryshon mënyrën se si shkëmbehet energjia mes shtetit dhe familjeve.

“Klientët aktivë janë subjekt i tarifave të rrjetit që reflektojnë koston, transparente dhe jodiskriminuese që llogariten veçmas për energjinë elektrike të futur në rrjet dhe energjinë elektrike të konsumuar nga rrjeti, duke siguruar që ato të kontribuojnë në mënyrë të përshtatshme dhe të balancuar në ndarjen e përgjithshme të kostos së sistem. Po kështu ata janë financiarisht përgjegjës për disbalancat që shkaktojnë në sistemin elektrik,” thuhet në draftin e ri.

Aktualisht familjarët që prodhojnë energji përmes paneleve fotovoltaike të instaluara në banesat e tyre shkëmbejnë energji me shtetin me koefiçent 1. Dmth nëse i japin 100 kilovat orë shtetit gjatë orëve diellore, kur kanë prodhim përtej nevojës së tyre, marrin po të njëjtën sasi pa pagesë gjatë orëve që kanë nevojë. Por me ligjin e ri kjo skemë do të ndryshojë.

Burime nga ministria i thanë Kapitalit se tashë energjia e prodhuar nga familjet do të llogaritet me një çmim më të ulët se sa ajo që ata marrin nga shteti. Kjo diferencë, që do të përcaktohet nga Enti Rregullator do të shërbejë për mbulimin e tarifave të rrjetit dhe disbalancave që ato shkaktojnë në rrjet.

Sipas këtyre burimeve, gjithsesi skema e vetëprodhimit do të vazhdojë të mbetet inkurajuese për familjet shqiptare, dhe diferenca e çmimeve do të jetë e lehtë.