Zagrebaçki Holding, kompania e shërbimeve publike e kryeqytetit kroat, Zagrebit, ka nënshkruar një marrëveshje për një kredi “të gjelbër” me vlerë deri në 56 milionë euro me Korporatën Ndërkombëtare Financiare (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore.
Sipas njoftimit, fondet do të përdoren për modernizimin e pajisjeve dhe flotës komunale të Zagrebaçki Holding, duke përfshirë mbi 300 automjete, makineri dhe pajisje të specializuara që shërbejnë për menaxhimin e mbeturinave, mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra dhe infrastrukturës rrugore.
Investimet synojnë rritjen e efikasitetit operacional, uljen e emetimeve të gazrave serrë dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve komunale për qytetarët e Zagrebit, përcjell Energy Monitor.
Marrëveshja me IFC është pjesë e përpjekjeve të kompanisë për të avancuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe për të kontribuar në tranzicionin drejt një ekonomie më të gjelbër, në përputhje me objektivat kombëtare dhe evropiane për klimën dhe mjedisin.



