Marka YESS Power e Topkapı Endüstri me seli në Stamboll ka inauguruar një sistem magazinimi energjie me bateri 30 MW në centralin diellor Novaci, i përfunduar nga investitori Mey Energy. Ky është sistemi i parë i këtij lloji në shkallë të madhe në Maqedoninë e Veriut dhe një nga të parët në Ballkanin Perëndimor.
Cubenergy nga Kina ka qenë partneri teknologjik në këtë projekt, duke siguruar infrastrukturën e baterive me kapacitet prej 60 MWh. Integrimi me impiantin diellor 55 MW të Novacit, që prodhon rreth 85 GWh në vit, lejon ruajtjen e energjisë së prodhuar gjatë ditës për përdorim kur dielli nuk ndriçon, duke rritur fleksibilitetin dhe stabilitetin e rrjetit elektrik, ka njoftuar Balkan Green Energy News.
Ky projekt ka një simbolikë të veçantë, pasi central diellor hibrid ndodhet pranë REK Bitola, në zemër të industrisë së qymyrit në vend, duke treguar një hap të qartë drejt tranzicionit energjetik në rajon.
Aktualisht, edhe kompani të tjera si Fortis Energy dhe Zen Energy Group po zhvillojnë sisteme të ngjashme pranë impianteve të qymyrit në Oslomej dhe Negotino, duke rritur praninë e centralëve hibrid diell‑bateri në Maqedoninë e Veriut, përcjell Energy Monitor.
YESS Power do të kujdeset për shërbimet teknike dhe mirëmbajtjen e BESS, ndërsa bashkëpunimi me Cubenergy shërben si themel për partneritet afatgjatë teknologjik në tregjet turke dhe evropiane lindore.
Projekti demonstron potencialin e madh të energjisë ripërtëritshme dhe sistemeve të magazinimit, duke i dhënë një shtysë serioze zhvillimit të energjisë së pastër në Ballkan.



