Tregu global i kontratave për blerje të energjisë së pastër (Power Purchase Agreements – PPA) shënoi një rënie në vitin 2025, duke ndërprerë trendin e rritjes që zgjati gati tetë vite me radhë.
Sipas analizës së BloombergNEF, korporatat nënshkruan kontrata për rreth 55.9 GW energji të pastër gjatë vitit të kaluar, që përfaqëson një ulje prej rreth 10%krahasuar me nivelin rekord të vitit 2024, përcjell Energy Monitor
Rënia ndodh në një periudhë kur sfidat e çmimeve të energjisë, kostot në rritje të projekteve dhe pasiguria politike kanë ulur interesin e blerësve jashtë sektorit të teknologjisë së lartë. Megjithatë, kompanitë e mëdha si Meta, Amazon, Google dhe Microsoft përbënin pothuajse 49% të volumit global, duke treguar se aktorët kryesorë mbeten motorët e kërkesës, njofton BloombergNEF.
Raporti thekson gjithashtu një zhvendosje drejt kontratave që përfshijnë energji “të pastër dhe të qëndrueshme”, për shembull kombinime të energjisë diellore dhe magazinimit, ose produkte hibride që ofrojnë furnizim më të qëndrueshëm.
Kjo reflekton nevojën në rritje për stabilitet dhe reduktim të rrezikut në një ambient të paqëndrueshëm të çmimeve të energjisë, njofton Energy Monitor.
Rënia e volumit të PPA-ve pas gati një dekade rritjeje paraqet sfida për investimet në energji të pastër, veçanërisht për projektet më të vogla dhe për aktorët që nuk i përkasin segmentit të firmave të mëdha teknologjike.
Sidoqoftë, zgjidhjet hibride dhe kombinimet me magazinimin e energjisë mund të ofrojnë mundësi për rimëkëmbjen e tregut në të ardhmen.



