Home / Lajme / Kosova / Ministrja Rizvanolli përmbyll vizitën në Washington me fokus në energji dhe sektorin minerar

Ministrja Rizvanolli përmbyll vizitën në Washington me fokus në energji dhe sektorin minerar

Ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli, ka përmbyllur vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me takime në U.S. Department of Energy dhe U.S. Department of State, ku në fokus ishte thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe strategjik mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e energjisë dhe minierave.

Gjatë takimit me Ndihmëssekretarin në detyrë për Zyrën e Çështjeve Ndërkombëtare në Departamentin e Energjisë, Tommy Joyce, u diskutuan mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërqeveritar si dhe angazhimi potencial i kompanive amerikane në projektet energjetike në Kosovë.

Palët trajtuan objektivat e përbashkëta dhe projektet aktuale në vend, me theks të veçantë në teknologjinë e gazifikimit të thëngjillit, një fushë ku Departamenti amerikan i Energjisë dhe kompanitë amerikane kanë përvojë të konsoliduar, përcjell Energy Monitor.

Ministrja Rizvanolli shprehu mbështetjen për përpjekjet e Qeverisë së SHBA-së në drejtim të reduktimit të varësisë së Evropës nga gazi rus. Ajo theksoi se, ndonëse Kosova aktualisht nuk disponon infrastrukturë të gazit, zhvillimet në tregjet evropiane ndikojnë drejtpërdrejt edhe në ekonominë e vendit përmes çmimeve të importit. Në këtë kontekst, sipas saj, rritja e sigurisë energjetike në Evropë përkthehet në më shumë stabilitet edhe për Kosovën.

Në një takim të veçantë me Zëvendës Ndihmëssekretarin në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit, Daniel Lawton, u vlerësua bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i ndërtuar mbi parime dhe vlera të përbashkëta. Diskutimet u përqendruan në thellimin e partneritetit në sektorë strategjikë, përfshirë energjinë dhe industrinë minerare.

Ministrja Rizvanolli falënderoi autoritetet amerikane për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, duke përmendur edhe vendimin e administratës së Presidentit Trump për vazhdimin e Programit Kompakt të Millennium Challenge Corporation(MCC) për Kosovën.

Ajo theksoi se gjatë këtij mandati, Qeveria e Kosovës do t’i kushtojë vëmendje të shtuar zhvillimit të sektorit minerar, duke kërkuar mbështetje dhe zgjerim të bashkëpunimit me partnerët amerikanë edhe në këtë fushë, paralelisht me avancimin e projekteve në sektorin e energjisë, njofton Energy Monitor.

Vizita në Washington DC përmbylli një seri takimesh të nivelit të lartë, me fokus në forcimin e lidhjeve ekonomike dhe strategjike mes Kosovës dhe SHBA-së, si dhe në identifikimin e projekteve konkrete që mund të mbështesin zhvillimin afatgjatë të sektorit energjetik dhe minerar në vend.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com