Kompania shqiptare Blessed Investment ka shpallur planet për të zgjeruar portofolin e saj të projekteve në energji të ripërtëritshme në rreth 1 gigavat (GW) kapacitet të instaluar deri në vitin 2030, sipas raportimeve të fundit.
Aktualisht, kompania ka rreth 130 megavat pik (MWp) kapacitete të instaluara, por synon një rritje të ndjeshme përmes zhvillimit të projekteve të reja, kryesisht në sektorin fotovoltaik, si dhe në një masë më të vogël në energjinë me erë.
Projekti kryesor i grupit është “Project Blue”, i cili përfshin dy centrale fotovoltaike – Blue 1 dhe Blue 2 – me kapacitet prej rreth 50 MW secila, të vendosura pranë Fierit. Blue 1 ka nisur tashmë prodhimin e energjisë, ndërsa për Blue 2 është siguruar financimi për fazën e dytë të zhvillimit, ka njoftuar SEE News.
Financimi për këto projekte është siguruar përmes një konsorciumi bankar të kryesuar nga Tirana Bank, me pjesëmarrjen e Union Bank, Intesa Sanpaolo Bank Albania dhe OTP Bank Albania, si dhe përmes një kredie nga Green for Growth Fund (GGF).
Zgjerimi drejt objektivit prej 1 GW pritet të përfshijë projekte të reja në energji të ripërtëritshme, duke forcuar më tej rolin e sektorit privat në tranzicionin energjetik të Shqipërisë dhe duke kontribuar në rritjen e kapaciteteve të energjisë së pastër në vend, përcjell Energy Monitor.
Këto zhvillime vijnë në një periudhë kur Shqipëria po rrit investimet në burime të ripërtëritshme, me qëllim forcimin e sigurisë së furnizimit me energji dhe përmbushjen e objektivave klimatike deri në vitin 2030.



