Kriza energjetike në Kubë po thellohet çdo ditë, pasi embargoja e naftës nga Shtetet e Bashkuara dhe problemet teknike në centralet elektrike kanë lënë pjesën më të madhe të vendit pa energji.
Sipas NTV mungesa e karburantit dhe defektet në termocentrale kanë bërë që rreth 68 për qind e popullsisë të mbetet pa energji elektrike, veçanërisht gjatë orëve kur kërkesa është më e lartë.
Të dhënat e publikuara nga kompania shtetërore e energjisë Unión Eléctrica de Cuba (UNE) tregojnë se 8 nga 16 termocentralet që operojnë në vend janë jashtë funksionit për shkak të defekteve teknike.
Për pasojë, në shumë zona të vendit po regjistrohen ndërprerje të energjisë që zgjasin deri në 20 orë në ditë.
Autoritetet kubane theksojnë se ndërprerjet masive të energjisë janë ndër më të mëdhatë në historinë e vendit.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, një dështim i madh në rrjetin elektrik ka lënë rreth dy të tretat e popullsisë pa energji, duke prekur edhe kryeqytetin Havana.
Ekspertët thonë se kriza është përkeqësuar edhe nga mungesa e furnizimit me naftë nga Venezuela, i cili është furnizuesi kryesor energjetik i Kubës, pasi sanksionet dhe presioni i Uashingtonit kanë ndërprerë dërgesat e naftës drejt ishullit.
Për shkak të situatës, në shumë qytete janë paralizuar transporti publik dhe disa shërbime bazë, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se rikthimi i plotë i energjisë mund të marrë disa ditë.
Kriza energjetike në Kubë vjen në një moment kur vendi po përballet edhe me vështirësi të thella ekonomike dhe me një rrjet elektrik të vjetëruar që shpesh pëson defekte.



