Bashkimi Evropian ka regjistruar një rritje rekord të importeve të gazit të lëngshëm natyror (LNG) në gjysmën e parë të vitit 2025.
Sipas të dhënave të publikuara, BE ka importuar gjithsej 75 miliardë metra kub LNG gjatë periudhës janar-qershor, që paraqet një rritje prej 40% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas Greg Molnar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, rritja vjen si pasojë e disa faktorëve të njëkohshëm: prodhimi nga burime të ripërtëritshme ka rënë, dimri ka qenë më i ftohtë se zakonisht dhe kërkesa për ngrohje është rritur. Në të njëjtën kohë, dërgesat me gaz nëpërmjet tubacioneve nga Rusia janë përgjysmuar, pas ndërprerjes së transitit përmes Ukrainës, ndërsa edhe prodhimi norvegjez pësoi ulje për shkak të mirëmbajtjes.
Kapacitetet e magazinimit nëntokësor janë mbushur me ritme shumë më të shpejta sesa vitet e kaluara. Nga prilli e tutje, injektimet në depo janë rritur me 35% në baza vjetore, duke shtuar 7 miliardë metra kub në rezervat strategjike. Megjithatë, rezervat totale janë ende 20 miliardë metra kub më pak se një vit më parë.
Pjesa më e madhe e rritjes së importeve ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat përbëjnë rreth 90% të shtesës, duke çuar pjesëmarrjen e tyre në 55% të totalit të importeve LNG të BE-së. Vetëm terminali amerikan Plaquemines LNG ka mbuluar afro 30% të kërkesës shtesë evropiane.
Eksportet nga BE drejt Ukrainës gjithashtu kanë njohur një rritje të madhe – pothuajse 12 herë më shumë se në vitin e kaluar – duke reflektuar përpjekjet e Kievit për të rikuperuar rezervat që kishin rënë në nivele historikisht të ulëta.
Për pjesën e dytë të vitit 2025, perspektivat mbeten të paqarta. Konkurrenca globale për LNG mund të ashpërsohet, veçanërisht nëse konsumi i gazit në Kinë rritet siç pritet.