Home / Lajme / Ndërkombëtare / Financimi pezullon projektin energjetik ndërmjet Kretës dhe Qipros

Financimi pezullon projektin energjetik ndërmjet Kretës dhe Qipros

Projekti i rëndësishëm për ndërlidhjen elektrike mes Greqisë dhe Qipros – i njohur si Great Sea Interconnector (GSI) – është përballur me një krizë financiare që rrezikon vijimin e punimeve.

Në takimet e kësaj jave mes operatorit të transmetimit të Greqisë ADMIE dhe Autoritetit Rregullator të Energjisë së Qipros CERA, palët nuk arritën marrëveshje për ndarjen e kostove të vitit 2025.

Projekti Great Sea Interconnector (GSI) është një ndërlidhje nënujore me tension të lartë për transmetimin e energjisë elektrike, që synon të lidhë rrjetet elektro-energjetike të Greqisë (Kreta) dhe Qipros, si pjesë e një korridori më të gjerë që do të shtrihet deri në Izrael.

Ky projekt është konceptuar për të integruar Qipron në tregun evropian të energjisë, për të rritur sigurinë energjetike rajonale dhe për të mundësuar shkëmbimin dypalësh të energjisë elektrike, veçanërisht nga burime të ripërtëritshme, nëpërmjet një kablli nënujor që do të ketë kapacitet transmetimi prej disa qindra megavatësh.

Në qendër të mosmarrëveshjes është kërkesa e Greqisë që Qipro të kontribuojë me 25 milionë euro, për të mbuluar një pjesë të investimeve të kryera nga ADMIE.

Autoritetet qipriote kundërshtuan pagesën, duke deklaruar se nuk kanë marrë shpjegime të mjaftueshme për vlerën e kërkuar dhe nuk janë në gjendje të miratojnë fondet pa transparencë të plotë.

Ndërkohë, ADMIE paralajmëroi se ka investuar tashmë 250 milionë euro në projekt dhe nuk mund të ecë më tej pa garanci financiare dhe kuadër të qartë rregullator.

Takimi përfundoi pa zgjidhje, dhe Komisioni Evropian ka kërkuar mbajtjen e një takimi urgjent brenda 48 orëve për të ndërhyrë në zbutjen e krizës.

Ky projekt, i konsideruar si një hallkë kyçe për sigurinë energjetike të Qipros dhe integrimin e saj në tregun evropian të energjisë, është në rrezik serioz nëse palët nuk gjejnë gjuhë të përbashkët në ditët në vijim.