Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar Planin Kombëtar të Integruar për Energji dhe Klimë 2025–2030, një dokument strategjik që synon të vendosë vendin në një rrugë të qartë drejt transformimit energjetik, zhvillimit të qëndrueshëm dhe përputhjes me politikat evropiane.
Plani, i hartuar me propozim të Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para, konsiderohet një instrument kyç për modernizimin e sektorit energjetik dhe përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga Komuniteti i Energjisë dhe legjislacioni i Bashkimit Evropian.
Sipas njoftimit të ministrisë, dokumenti përfshin gjithsej 61 masa konkrete, prej të cilave 26 lidhen me dekarbonizimin, 20 me efikasitetin energjetik, tre me sigurinë energjetike, 11 me zhvillimin e tregut të brendshëm të energjisë dhe një me hulumtimin, inovacionin dhe konkurrueshmërinë. Fokusi kryesor mbetet ulja e emetimeve të gazrave serrë, rritja e pjesëmarrjes së burimeve të ripërtëritshme dhe përmirësimi i ndjeshëm i efikasitetit energjetik.
Në periudhën në vijim, Maqedonia e Veriut pritet të intensifikojë investimet në energjinë diellore, të erës dhe hidroenergjinë, si dhe të zhvillojë më tej infrastrukturën moderne energjetike dhe kapacitetet për ruajtjen e energjisë. Po ashtu, parashihet vendosja e një sistemi për çmimin e karbonit në përputhje me standardet evropiane dhe largimi gradual nga qymyri si burim energjie.
Njëkohësisht, plani synon forcimin e sigurisë energjetike përmes diversifikimit të burimeve, rritjes së bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimit të interkoneksioneve të reja, si dhe avancimin e liberalizimit dhe integrimit të tregut të energjisë elektrike.
Autoritetet në Maqedoninë e Veriut theksojnë se zbatimi i këtij plani pritet të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së mjedisit, rritjen e stabilitetit dhe pavarësisë energjetike, si dhe në gjenerimin e një cikli të ri investimesh në sektorin energjetik.
“Ky dokument përfaqëson një vizion të qartë për të ardhmen energjetike të vendit, ku qëndrueshmëria, inovacioni dhe standardet evropiane bëhen realitet”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para.



