Home / Lajme / Kosova / Kosova në kërkim të investimeve nordike: energjia e gjelbër në qendër të vëmendjes

Kosova në kërkim të investimeve nordike: energjia e gjelbër në qendër të vëmendjes

KIESA ka promovuar potencialin investues të Kosovës në Stockholm, në një aktivitet që synon forcimin e bashkëpunimit me kompanitë suedeze dhe nordike në sektorët e energjisë, bioenergjisë dhe agroindustrisë.

Ngjarja u organizua në kuadër të projektit SUNREED, i zbatuar nga CNVP Kosovë dhe i mbështetur nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë dhe Sida, me përkrahjen e Ambasada e Republikës së Kosovës në Suedi.

Punëtoria shërbeu si platformë për prezantimin e mundësive të investimit në Kosovë, me fokus të veçantë në zhvillimin e projekteve të përbashkëta në sektorë strategjikë.

Në hapje, pjesëmarrësit u përshëndetën përmes një video-mesazhi nga ministrja e Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, e cila theksoi reformat dhe mbështetjen për sektorin privat, duke ftuar njëkohësisht bizneset nga Suedia dhe vendet nordike të investojnë në Kosovë, përcjell Energy Monitor.

Gjatë prezantimit, përfaqësuesit e KIESA-s theksuan rolin e agjencisë në mbështetjen e investitorëve të huaj dhe promovimin e sektorëve prioritarë, duke nënvizuar potencialin në energjinë e ripërtëritshme, industrinë e drurit, tekstilin dhe shfrytëzimin e biomasës.

Në sesionet e diskutimit dhe rrjetëzimit u identifikuan mundësi konkrete për bashkëpunim ndërmjet akterëve kosovarë dhe kompanive suedeze, duke hapur rrugë për projekte të reja dhe investime në sektorë me rëndësi strategjike.

Institucionet theksuan se do të vazhdojnë përpjekjet për të promovuar Kosovën si një destinacion atraktiv për investime, me fokus të veçantë në energjinë e gjelbër dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com