Home / Lajme / Tjera / “Pavarësi energjetike për Evropën” – Von der Leyen: Të rrisim furnizimin me energji të pastër

“Pavarësi energjetike për Evropën” – Von der Leyen: Të rrisim furnizimin me energji të pastër

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar se vendet e BE-së duhet ta drejtojnë ndihmën e tyre energjetike kryesisht tek familjet dhe industritë e ndjeshme, ose rrezikojnë të humbasin miliarda euro në një kohë kur lufta me Iranin po çon në çmime të larta të naftës dhe gazit.

Lufta SHBA-Izrael kundër Iranit, së bashku me hakmarrjen e Iranit dhe bllokadën e Ngushticës së Hormuzit, po i kushton BE-së pothuajse 500 milionë euro në ditë, gjë që po ndikon në rritjen e çmimeve të karburantit në stacionet e benzinës dhe po nxit frikën për një mungesë të afërt të karburantit për avionë.Von der Leyen tha se BE-ja, për të shmangur dëme të mëtejshme në ekonomitë e saj, duhet të mbështetet në mësimet e nxjerra gjatë krizës së naftës të vitit 2022, kur Rusia përdori fuqinë e saj energjetike kundër vendeve evropiane për të minuar mbështetjen e tyre për Ukrainën.

Më shumë se 350 miliardë euro “u shpenzuan për masa që nuk ishin të synuara dhe kjo pati një ndikim të madh në financat e shteteve anëtare”, u tha von der Leyen eurodeputetëve në Strasburg, Francë.

“Le të mos e bëjmë përsëri të njëjtin gabim dhe ta përqendrojmë mbështetjen tonë aty ku ka më shumë rëndësi”, tha ajo.

Ashtu siç Evropa i dha fund varësisë së saj energjetike nga Rusia, tani duhet t’i japë fund varësisë së saj nga furnizimet nga pjesa tjetër e botës, duke i përdorur më mirë burimet e saj të ripërtëritshme si energjia e erës dhe diellore, si dhe energjia bërthamore , tha kreu i Komisionit Evropian.

“Varësia jonë e tepërt nga lëndët djegëse fosile të importuara na bën hipersensitivë”, tha ajo.

Që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës në vitin 2022, importi i gazit rus në 27 shtetet anëtare të Unionit ka rënë nga 45 përqind në 12 përqind vitin e kaluar. Importet e qymyrit u ndaluan nga sanksionet, dhe importet e naftës u ulën nga 27 përqind në vitin 2022 në dy përqind, dhe vetëm Hungaria dhe Sllovakia vazhduan të blinin nga Rusia.

Ajo tha se ndikimi i luftës në Iran mund të jehojë për muaj dhe madje vite që do të vijnë dhe se rruga drejt pavarësisë energjetike është të sigurohet energji vendase e pastër dhe me kosto efektive, nga burimet e ripërtëritshme te energjia bërthamore.

Ajo u bëri thirrje vendeve të BE-së të përdorin më shumë energji elektrike të prodhuar nga burimet e ripërtëritshme dhe burimet bërthamore për transportin dhe avionët, ngrohjen e shtëpive dhe për të zvogëluar varësinë nga lëndët djegëse fosile në industri.

Energjia elektrike përbën më pak se një të katërtën e konsumit të energjisë në BE, shkruan agjencia AP.

Komisioneri Evropian i Energjisë, Dan Jergensen, paralajmëroi javën e kaluar se lufta me Iranin nuk ka prodhuar vetëm një rritje të vogël dhe afatshkurtër të çmimeve.

“Kjo është një krizë që është ndoshta e njëjtë me krizat e viteve 1973 dhe 2022 të kombinuara,” tha ai.

Ai shtoi se Evropa është e detyruar të mbajë një qëndrim mbrojtës sepse ka pak kontroll mbi ngjarjet.

“Edhe skenari më i mirë është ende i keq. Nëse do të jemi apo jo në një krizë sigurie furnizimi varet kryesisht nga ajo që ndodh në Lindjen e Mesme. Ajo që mund të bëjmë është të përpiqemi të parandalojmë dhe kufizojmë dëmin”, tha komisioneri.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com