Home / Lajme / Rajoni / Ministri Karakaçi: Siguria energjetike, prioritet kryesor i politikave shtetërore

Ministri Karakaçi: Siguria energjetike, prioritet kryesor i politikave shtetërore

Siguria energjetike është një nga prioritetet kryesore të politikave shtetërore, si një element thelbësor i stabilitetit ekonomik dhe i rritjes së rezistencës kombëtare, deklaroi ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, gjatë një takimi në Tiranë për sigurinë energjetike, shkruan “ATSH”.

Ministri Karakaçi u shpreh se Shqipëria po ndërmerr hapa konkretë për të ulur ekspozimin ndaj rreziqeve që lidhen me varësinë hidroenergjetike dhe për të ndërtuar një sistem energjetik më të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt së ardhmes.

“Për Shqipërinë kjo do të thotë të ndërmerren hapa konkrete për të reduktuar ekspozimin ndaj rreziqeve hidro dhe për të ndërtuar një sistem më të qëndrueshëm për të ardhmen”,- u shpreh ministri.

Ai theksoi se në këtë kontekst, vendi po avancon me reforma dhe projekte strategjike për transformimin e sektorit energjetik drejt diversifikimit të burimeve dhe rritjes së sigurisë së furnizimit.

Sipas Karakaçit, në qendër të këtij transformimi qëndron partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili synon krijimin e një bashkëpunimi afatgjatë për garantimin e një të ardhmeje energjetike të sigurt dhe të qëndrueshme.

Një nga projektet kryesore të këtij vizioni është ndërtimi i Qendrës Energjetike të Vlorës, e cila pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në pozicionimin e Shqipërisë në hartën energjetike rajonale.

Ky projekt parashikon rritjen e kapaciteteve prodhuese me rreth 250 megavat, rikualifikimin e infrastrukturës për depozitimin e energjisë, si dhe zhvillimin e lidhjeve infrastrukturore për integrimin me rrjetin rajonal të transmetimit të gazit.

Karakaçi shtoi se Qendra Energjetike e Vlorës do të ripozicionojë Shqipërinë si një portë strategjike energjetike për Ballkanin, duke lidhur importin e gazit natyror me tregjet rajonale dhe duke krijuar rrugë të diversifikuara furnizimi.

Në këtë proces, ai vlerësoi edhe bashkëpunimin rajonal, përfshirë ndërveprimin me Greqinë fqinje, si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të pavarësisë dhe diversifikimit të burimeve energjetike të vendit.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com