Kushtrim Ajvazi nga Shoqata e Prodhuesve të Kosovës ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar nga dalja e detyruar e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike duke e cilësuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) si të paimplementueshëm dhe të dëmshëm për sektorin prodhues.
Sipas Ajvazit, 44 ditë pas hyrjes në fuqi të vendimit, tregu i lirë ka dështuar të funksionojë si duhet. Nga mbi 1300 kompani të prekura, vetëm rreth 50 kanë nënshkruar kontrata me furnizues, ndërsa mbi 1000 kompani i janë drejtuar gjykatës për pezullimin e vendimit.
“A jeni të vetëdijshëm çka do të thotë kjo? Askush nuk është i përgatitur – as bizneset, as furnizuesit, as vetë tregu”, deklaroi Ajvazi duke shtuar se asnjë biznes nuk ka pranuar ende faturën për muajin qershor.
Ai bëri thirrje të drejtpërdrejtë për pezullimin urgjent të vendimit dhe kërkoi dialog të hapur ndërmjet ZRRE-së, bizneseve dhe institucioneve të tjera për një tranzicion të rregullt e të drejtë.
“Gjykata Komerciale tashmë ka dhjetëra aktvendime për pezullim individual të vendimeve të ZRRE-së. Mos e dëmtoni më shumë sektorin prodhues – ky vendim është i paimplementueshëm në këtë formë”, theksoi Ajvazi.
Ai paralajmëroi se kërcënimet për ndërprerje të energjisë nga 1 gushti janë të papranueshme dhe mund të çojnë në mbyllje të plotë të ekonomisë së vendit:
“Mos na kërcënoni me ndërprerje të energjisë – kështu keni me mbyll krejt ekonominë e vendit.”