Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për të rihapur tenderin në vlerë prej 137 milionë euro, ndonëse më herët ishte pezulluar pas një ankese në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
Sipas Bajramit, KEK e ka rikthyer tenderin në lojë me të njëjtat kushte, duke u dhënë kompanive vetëm 3 ditë afat për të dorëzuar ofertat, dhe prapëseprapë do të pranohen vetëm 6 ofertues, me të cilët KEK më pas do të negociojë, ndonëse mungon një studim fizibiliteti dhe specifikacioni teknik, shkruan Gazeta Infokus.
“Pra, prapë KEK-u do të pranojë 6 ofertues dhe do të negociojë me ta se çka mund të bëjnë në A3 me 137,340,000 euro. Natyrisht, do të fitojë ai që është më i ‘shkathti’ në negociata,” ka shkruar Bajrami.
KEK-u e pezullon megatenderin, pas ankesës për kritere diskriminuese
Ajo paralajmëron se ndërkohë që KEK vazhdon me, siç i quan ajo, “fizkultura prej janarit”, importi i energjisë vazhdon të rritet, duke favorizuar kompanitë e njëjta – si EFT e Vuk Hamoviçit dhe NOA – ndërsa kostoja për konsumatorët po bëhet gjithnjë e më e papërballueshme.
“Na faturohen jo vetëm në çmimin e energjisë elektrike, por edhe në çmimin e secilit produkt e shërbim që e blejmë,” thekson ajo, duke e përmbyllur reagimin me një deklaratë të fortë:
“Korrupsioni është duke e shkatërruar këtë vend.”
Ky reagim shton më tej presionin publik mbi KEK-un dhe autoritetet përgjegjëse, teksa saga e tenderit 137 milionësh vazhdon të ngritë dyshime serioze për transparencën dhe qëllimet e këtij procesi.