Mekanizmi i Rregullimit të Karbonit në Kufij i Bashkimit Evropian (Carbon Border Adjustment Mechanism – CBAM) po shkakton pasiguri të konsiderueshme në tregjet e energjisë elektrike në Ballkanin Perëndimor dhe mund të ngadalësojë investimet në energjinë e ripërtëritshme, duke prodhuar efekte të kundërta me qëllimin e tij fillestar.
Ky ishte një nga konkluzionet kryesore të diskutimeve në kuadër të Forumit të Energjisë në Beograd 2026, ku përfaqësues të rregullatorëve, bursave të energjisë, tregtarëve dhe investitorëve paralajmëruan se, nëse paqartësitë aktuale nuk adresohen shpejt, CBAM mund të pengojë procesin e dekarbonizimit në rajon.
CBAM hyri në fazën e zbatimit financiar më 1 janar 2026 dhe parasheh që importuesit në BE të paguajnë një çmim të karbonit për produkte si energjia elektrike, çeliku, alumini, çimentoja, plehrat kimike dhe hidrogjeni, nëse ato prodhohen në vende që nuk aplikojnë një kosto të ngjashme për emetimet e CO₂, njofton Balkan Green Energy News.
Për vendet e Ballkanit Perëndimor, kjo nënkupton se eksportet e energjisë elektrike drejt tregut të BE-së mund të bëhen më pak konkurruese, veçanërisht kur energjia prodhohet nga termocentralet me qymyr.
Megjithatë, pjesëmarrësit në forum theksuan se ndikimi i CBAM-it nuk kufizohet vetëm te energjia nga qymyri. Pasiguria rreth mënyrës së trajtimit të energjisë së pastër dhe mungesa e qartësisë rregullatore mund të ndikojnë negativisht edhe në investimet në projekte të reja të energjisë së ripërtëritshme, përcjell Energy Monitor.
Sipas tyre, investitorët kanë nevojë për rregulla të qarta dhe të parashikueshme për të marrë vendime afatgjata, ndërsa çdo paqartësi rrit perceptimin e rrezikut dhe mund të shtyjë ose anulojë investime të rëndësishme.
CBAM konsiderohet një instrument kyç i politikës klimatike të Bashkimit Evropian, me qëllim parandalimin e “rrjedhjes së karbonit” dhe vendosjen e kushteve të barabarta mes prodhuesve evropianë dhe atyre nga vendet e treta.
Megjithatë, për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, të cilat janë ende në proces të tranzicionit energjetik dhe varen në masë të konsiderueshme nga qymyri, zbatimi i këtij mekanizmi paraqet një sfidë të madhe.
Ekspertët vlerësojnë se, pa mbështetje financiare dhe teknike nga Bashkimi Evropian, si dhe pa rregulla të qarta për trajtimin e energjisë së pastër, CBAM mund të ngadalësojë pikërisht investimet që synon të nxisë.



