UN Habitat në Kosovë ka bërë të ditur se Komuna e Vushtrrisë, me mbështetjen e saj, ka prezantuar në Forumin Botëror Urban 13 përpjekjet për zhvillimin e një mobiliteti urban më të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt qytetarëve.
Në sesionin tematik “Unlocking Sustainable Mobility”, u diskutua për zhvillimin e Planit të Mobilitetit të Qëndrueshëm Urban (PMQU), si dhe hapat drejt institucionalizimit dhe zbatimit të tij në nivel lokal.
Sipas prezantimit, fokusi kryesor i planit është përmirësimi i sigurisë në trafik, nxitja e ecjes dhe çiklizmit, forcimi i qëndrueshmërisë mjedisore dhe zhvillimi i zgjidhjeve më gjithëpërfshirëse të mobilitetit urban, përcjell Energy Monitor.
Po ashtu, u theksua rëndësia e menaxhimit më të mirë të trafikut dhe parkimit përmes përdorimit të të dhënave dhe mjeteve moderne të planifikimit urban.
Plani synon ta bëjë Vushtrrinë një qytet më të sigurt, më të qasshëm dhe më të gjelbër, me theks të veçantë te këmbësorët dhe çiklistët.



