Autoritetet mjedisore në Bullgari kanë urdhëruar mbylljen e një bojleri në termocentralin Bobov Dol, pas inspektimeve që zbuluan ndotje të lartë të ajrit dhe shkelje të kushteve mjedisore.
Sipas raportimeve të SEE News, inspektorët kanë konstatuar se një pjesë e gazrave të prodhuar gjatë djegies së qymyrit nuk kalonte nëpër sistemet e plota të filtrimit, përfshirë elektrofiltrat dhe desulfurizimin, duke u liruar direkt në atmosferë.
Autoritetet mjedisore kanë nisur procedurë sanksionuese dhe kanë kërkuar masa të menjëhershme për uljen e ndotjes, ndërsa objekti mbetet nën mbikëqyrje të shtuar, përcjell Energy Monitor.
Termocentrali Bobov Dol është një nga impiantet më problematike në Bullgari për sa i përket ndotjes së ajrit, me raportime të përsëritura për tejkalime të kufijve të lejuar të emetimeve dhe shkelje të lejeve mjedisore në vitet e fundit.



