Centrali bërthamor në Kozloduy të Bullgarisë do të mbyllë përkohësisht Njësinë 6 me kapacitet 1 000 megavat në fund të kësaj jave, për shkak të një rrjedhjeje të konstatuar në gjeneruesin e tretë të avullit. Sipas Ministrisë së Energjisë, mbyllja është pjesë e mirëmbajtjes së planifikuar dhe ka për qëllim garantimin e sigurisë teknike dhe funksionimin e qëndrueshëm të impiantit.
Operatori i centralit ka bërë të ditur se matjet e kryera tregojnë se vlerat janë shumë më të ulëta sesa kufijtë e përcaktuar teknikisht dhe se nuk ka asnjë rrezik për sigurinë bërthamore. Po ashtu, nuk është regjistruar asnjë ndryshim në nivelet e rrezatimit në zonën përreth, çka konfirmon se situata mbetet plotësisht nën kontroll.
Ndërkohë, Njësia 5 e centralit, po ashtu me kapacitet 1000 megavat, është rikthyer në funksion të plotë në muajin qershor pas përfundimit të një cikli mirëmbajtjeje mujore. Ky menaxhim i koordinuar me Operatorin e Sistemit të Transmetimit siguron vazhdimësi në prodhimin e energjisë gjatë periudhës kur Njësia 6 do të jetë jashtë funksionit.
Mbyllja e njësisë do të fillojë më 18 ose 19 korrik dhe do të zgjasë deri në përfundimin e plotë të riparimeve të planifikuara. Pas përfundimit të ndërhyrjeve teknike dhe pas testimeve përkatëse, Njësia 6 do të rilidhet me rrjetin kombëtar. Masat e marra pasqyrojnë përkushtimin për ruajtjen e standardeve më të larta të sigurisë dhe furnizimit të besueshëm me energji për vendin.