Paralajmërimet e Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DHTIK) për rritjen e çmimeve të produkteve si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë dhe procesit të liberalizimit të tregut po marrin konfirmim edhe nga të dhënat zyrtare.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), çmimet e prodhimit janë rritur me 4,1% në periudhën prill–qershor 2025. Ngritjet më të theksuara u shënuan te energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar me 16,7%, ndjekur nga shtypja dhe riprodhimi i mediave të incizuara me 9,3%, prodhimi i veshjeve me 6,7%, si dhe sektori i mjeteve motorike me 4,2%.
Në një reagim, DHTIK rikujtoi se kishte paralajmëruar më herët se rritja e menjëhershme e çmimit të energjisë prej 16,1%, e kombinuar me liberalizimin e tregut të energjisë të shoqëruar me shkelje, do të sillte pasoja zinxhirore në koston e prodhimit dhe, rrjedhimisht, në çmimet e produkteve për konsumatorët.
“Rritja e çmimeve e vështirëson edhe më tej konkurrueshmërinë e bizneseve vendore dhe rrezikon ruajtjen e vendeve të punës,” thuhet në njoftimin e DHTIK.
Dhoma kërkon nga institucionet përgjegjëse që të rishqyrtojnë politikat aktuale të çmimeve të energjisë dhe të ndërmarrin masa të menjëhershme për të mbrojtur bizneset dhe qytetarët nga pasojat ekonomike.