Bashkë me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila, Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, ka përmbyllur një seri vizitash ndërkombëtare, duke theksuar rëndësinë strategjike të sektorit minerar për zhvillimin ekonomik dhe sigurinë energjetike të vendit.
Në takimet e zhvilluara në Washington dhe në kuadër të konferencës PDAC 2026 në Toronto, ministrja Rizvanolli diskutoi mundësitë e bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë dhe kompani lider në sektorin minerar dhe energjetik.
“Kosova ka një traditë të gjatë në miniera, që kulmoi me kompleksin e Trepçës si shtyllë e ekonomisë rajonale në vitet ’70 dhe ’80. Qëllimi ynë është ta ringjallim këtë sektor jo vetëm si industri nxjerrëse, por duke zhvilluar edhe përpunimin brenda vendit,” tha ministrja Rizvanolli gjatë takimeve në Toronto me ministra dhe zyrtarë nga Kanadaja, Australia dhe Bashkimi Evropian, përcjell Energy Monitor.
Vizita në SHBA shërbeu për të thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe strategjik mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e energjisë dhe minerave.
“Gjatë këtij mandati, Qeveria e Kosovës do t’i kushtojë vëmendje të shtuar zhvillimit të sektorit minerar, duke kërkuar mbështetje dhe zgjerim të bashkëpunimit me partnerët amerikanë edhe në këtë fushë, paralelisht me avancimin e projekteve në sektorin e energjisë,” tha Rizvanolli gjatë takimeve me autoritetet e U.S. Department of Energy dhe Department of State, raporton Energy Monitor.
Në Toronto, ministrja diskutoi me përfaqësues të institucioneve dhe kompanive minerare për mundësinë e partneriteteve strategjike dhe investimeve të reja. Ajo theksoi se zhvillimi i sektorit do të bazohet në partneritete me vende aleate dhe partnerë të besueshëm, duke siguruar standarde të larta dhe integritet financiar.
“Partneritete të tilla rrisin gjasat që projektet të arrijnë fazën e prodhimit dhe të kontribuojnë në aleanca që i bëjnë ekonomitë tona dhe zinxhirët e furnizimit më të sigurt dhe të qëndrueshëm,” shtoi ministrja.
Një prej objektivave kryesore është zhvillimi i Trepçës përmes një partneriteti publiko-privat, që do të mbështesë modernizimin dhe përpunimin e mineraleve brenda vendit. Paralelisht, Qeveria po investon në mbledhjen sistematike të të dhënave gjeoshkencore për të kuptuar më mirë potencialin minerar të Kosovës.
Vizitat e ministres Rizvanolli në SHBA dhe Kanada synojnë të krijojnë ura bashkëpunimi ndërkombëtare, që mbështesin zhvillimin e sektorit minerar dhe energjetik të Kosovës, si dhe të rrisin sigurinë energjetike dhe stabilitetin ekonomik në rajon.



