Korporata e Transmetimit të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) ka nënshkruar marrëveshje të reja për kyçjen në sistemin transmetues me kompanitë “Ecoviva Energy” Sh.p.k dhe “Rahoveci Solar Energy Park” Sh.p.k, duke i hapur rrugë shtimit të kapaciteteve të reja gjeneruese nga burimet e ripërtëritshme.
Marrëveshjet u firmosën nga ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të KOSTT, Shaban Neziri, dhe përfaqësuesit e dy kompanive private. Projekti parasheh që në rrjetin e Kosovës të shtohen 54.1 megavat (MW) kapacitete të reja nga energjia diellore, duke përforcuar tranzicionin energjetik dhe rritur diversifikimin e burimeve të energjisë në vend.
Në njoftimin e KOSTT thuhet se investimet e deritanishme në rrjetin transmetues kanë krijuar kushte të favorshme për kyçjen e projekteve të reja. Aktualisht, janë kyçur 21 gjenerues nga burimet e ripërtëritshme, me një kapacitet të përgjithshëm prej 1,585.59 MW, raporton Energy Monitor.
Institucioni thekson se do të mbetet i përkushtuar në mbështetjen e investitorëve në sektorin e energjisë së pastër, duke garantuar përgjigje të shpejta për kërkesat e reja për kyçje dhe duke shmangur vonesat në realizimin e projekteve.
Ky zhvillim vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt rritjes së pavarësisë energjetike të Kosovës dhe përmbushjes së objektivave të Strategjisë së Energjisë për vitet e ardhshme.