Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka nisur punimet ndërtimore për projektin Solar4Kosovo I – Centrali Fotovoltaik, një nga investimet më të rëndësishme në tranzicionin energjetik të vendit.
Projekti financohet nga Bashkimi Evropian përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), Qeveria Gjermane përmes KfW-së, Banka Evropiane për Investime (BEI) dhe vetë KEK-u.
Punimet do të zhvillohen në zonën afër Termocentralit “Kosova A”, në komunat e Obiliqit dhe Fushë Kosovës, ku përfshihen kryesisht banorët e Kryshevcit (Dardhishtë) dhe lagjes Mërlak. Zona do të rrethohet me gardh sigurie dhe do të pajiset me tabela paralajmëruese.
KEK sqaron se deri tani nuk ka ndërmarrë masa ndaj shfrytëzimit të paautorizuar të tokës, duke treguar mirëkuptim ndaj komunitetit lokal. Megjithatë, sezoni bujqësor i vitit 2025 konsiderohet si i fundit në këto parcela. Pas kësaj periudhe, përdorimi i tokës nga persona të paautorizuar nuk do të lejohet më.
“Ky projekt është një hap i rëndësishëm për rritjen e prodhimit të energjisë nga burime të qëndrueshme dhe të ripërtëritshme”, thuhet në njoftimin e KEK-ut. Institucioni u bën thirrje përdoruesve të tokës që për çdo sqarim apo informacion shtesë të kontaktojnë përfaqësuesit e saj.



