Home / Lajme / Mjedisi / Studentët e biologjisë vizitojnë Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës

Studentët e biologjisë vizitojnë Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës

Studentë të Fakultetit të Shkencave Matematike Natyrore në Universiteti i Prishtinës Hasan Prishtina, nga drejtimi Biologji, kanë vizituar Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës (IKMN), në kuadër të aktiviteteve praktike dhe njohjes me institucionet e fushës.

Të udhëhequr nga Bledar Pulaj, studentët patën mundësi të njihen nga afër me punën, aktivitetet dhe projektet aktuale të institutit, veçanërisht në fushën e zonave të mbrojtura dhe biodiversitetit.

Gjatë vizitës u zhvillua edhe një bashkëbisedim, ku studentët parashtruan pyetje dhe morën informata më të detajuara lidhur me procesin e shpalljes së zonave të mbrojtura, bashkëpunimin me komunat, monitorimin e këtyre zonave dhe përmbushjen e obligimeve në kuadër të integrimeve evropiane në fushën e mjedisit, përcjell Energy Monitor.

Studentët u informuan gjithashtu për mundësitë e angazhimit në punë praktike në Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, përkatësisht në kuadër të hulumtimeve që realizohen në fushën e mbrojtjes së natyrës dhe biodiversitetit.

IKMN tashmë ka ndërtuar një bashkëpunim të qëndrueshëm me Fakultetin e Shkencave Matematike Natyrore, përmes të cilit studentëve u ofrohen mundësi për praktikë profesionale dhe përgatitje të temave të diplomës.

Ky bashkëpunim përfshin gjithashtu angazhime të përbashkëta në projekte hulumtuese, si hartimi i Librave të Kuq të florës vaskulare dhe faunës, si dhe studime dhe analiza për zonat e mbrojtura dhe proceset e zonimit të tyre.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com