Një valë e re zhvillimesh në sektorin energjetik të Shqipërisë po sinjalizon një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si prodhohet dhe menaxhohet energjia në vendin tonë, pasi disa nga projektet më të mëdha fotovoltaike në vend po kërkojnë të integrojnë sisteme depozitimi të energjisë, duke reflektuar një tendencë të re në treg.
Sipas Enti Rregullator i Energjisë aktualisht janë depozituar aplikime për modifikim licence nga disa shoqëri, përfshirë “Erseka Solar Park 1”, “Erseka Solar Park 2”, si dhe “SPV Blue 1” dhe “SPV Blue 2”. Këto kompani kërkojnë të shtojnë në licencat e tyre një element të ri: njësitë e depozitimit të energjisë elektrike, pa ndryshuar kapacitetin e instaluar të centraleve ekzistuese.
Bëhet fjalë për centrale fotovoltaike me kapacitete të konsiderueshme, që në disa raste arrijnë deri në 50 MË secili, pjesë e projekteve më të mëdha private të energjisë diellore në vend.
Ky zhvillim sinjalizon një kthesë të rëndësishme në modelin e prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme. Deri më tani, shumica e projekteve diellore kanë qenë të fokusuar vetëm te prodhimi, çka sjell ndërprerjen e gjenerimit gjatë natës. Depozitimi i energjisë synon pikërisht të adresojë këtë boshllëk, duke lejuar ruajtjen e energjisë së prodhuar në orët me rrezatim të lartë dhe përdorimin e saj në momentet kur kërkesa është më e madhe.
Ndërkaq, Bordi i ERE-s ka vendosur të fillojë procedurën për modifikimin e licencës së secilës prej shoqërive të mësipërme.



