Në Athinë është mbajtur Forumi i Energjisë Elektrike i Komunitetit të Energjisë, ku për dy ditë janë mbledhur përfaqësues të institucioneve evropiane, rregullatorëve, operatorëve të sistemeve dhe aktorëve të tregut për të diskutuar integrimin e tregut të energjisë elektrike mes BE-së dhe vendeve të Evropës Juglindore dhe Lindore.
Sipas Drejtorit të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Artur Lorkowski, integrimi i tregut elektrik është një nga prioritetet më të rëndësishme para-anëtarësuese dhe një mjet për krijimin e tregjeve më të mëdha dhe më rezistente ndaj krizave.
Ai theksoi se kjo qasje do të ndihmojë në rritjen e sigurisë energjetike dhe në rritjen e investimeve në energji të ripërtëritshme, duke ulur varësinë nga lëndët fosile në afat të gjatë.
Në forum u diskutua edhe për paketën ligjore të integrimit të tregut të energjisë, e cila pritet të mundësojë lidhjen graduale të vendeve të Komunitetit të Energjisë me tregun unik të BE-së, pas përfundimit të transpozimit të rregullave përkatëse, ka njoftuar Sekretariati i Komunitetit të Energjisë.
Gjithashtu u theksua rëndësia e përgatitjes së sistemeve energjetike për më shumë fleksibilitet, si dhe rritja e bashkëpunimit ndërkufitar mes operatorëve të sistemit dhe rregullatorëve, përcjell Energy Monitor.
Megjithatë, pjesëmarrësit paralajmëruan se mekanizmi i rregullimit të karbonit në kufi (CBAM) mund të ndikojë në tregjet rajonale, duke krijuar luhatje çmimesh dhe duke ulur flukset ndërkufitare të energjisë elektrike, veçanërisht nga burimet e pastërta në Evropën Juglindore.
Sipas tyre, pasiguria rregullatore mund të ndikojë edhe në investimet në projekte të energjisë së ripërtëritshme në rajon, duke e bërë të nevojshme më shumë qartësi ligjore dhe koordinim mes palëve.



