Instituti prezanton raportin për Kosovën në një kohë të presionit të shtuar për tranzicionin energjetik.
Instituti GAP, në kuadër të projektit “Politikat Industriale të Gjelbra (GIP)” të përkrahur nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur – Ballkani Perëndimor (OSF-WB), prezantoi raportin “Politikat Industriale të Gjelbra: Analizë e kontekstit të Kosovës”.
Në tryezën e diskutimit u theksua se Kosova vazhdon të përballet me sfida të konsiderueshme në tranzicionin e gjelbër, veçanërisht për shkak të varësisë së lartë nga qymyri, zhvillimit të ngadalshëm të energjisë së ripërtëritshme dhe ndikimit të Mekanizmit të Rregullimit të Kufirit për Karbon (CBAM), i cili tashmë është në zbatim dhe pritet të ketë ndikim në industrinë vendore, përcjell Energy Monitor.
Raporti thekson se këto zhvillime e bëjnë të domosdoshëm përshpejtimin e investimeve në sektorin energjetik dhe krijimin e politikave industriale më të koordinuara.
Hasaj: raporti trajton koston e mosveprimit në ekonomi
Drejtori ekzekutiv i Institutit GAP, Blendi Hasaj, tha se projekti është zhvilluar për më shumë se tre vjet në bashkëpunim rajonal dhe se raporti shkon thellë në analizën e ekonomisë vendore.
Sipas tij, një nga elementet kryesore të raportit është paralajmërimi për kostot e mosveprimit, veçanërisht në raport me CBAM-in e Bashkimit Evropian, i cili tashmë ka hyrë në zbatim.
Ai shtoi se bashkëpunimi ndër-ballkanik në këtë fushë mund të sjellë përfitime më të mëdha sesa qasjet e izoluara të vendeve.
Nelaj nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur: Politikat e gjelbra si mundësi në një mjedis global të pasigurt
Dritan Nelaj nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur – Ballkani Perëndimor tha se zhvillimet globale, përfshirë tensionet gjeopolitike, konkurrencën mes SHBA-ve dhe Kinës dhe rritjen e ndikimit të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, po e bëjnë mjedisin ekonomik gjithnjë e më kompleks.
Ai theksoi se politikat e gjelbra të Bashkimit Evropian nuk duhet të shihen si kërcënim për Kosovën, por si një mundësi për të përgatitur ekonominë për të ardhmen dhe për të vepruar në mënyrë më proaktive.
Raporti: Varësi nga qymyri dhe nevojë për investime të mëdha në energji
Znj. Rrona Zhuri nga Instituti GAP prezantoi gjetjet kryesore të raportit, duke theksuar se Kosova vazhdon të ketë varësi të lartë nga qymyri dhe ritëm të ngadaltë të zhvillimit të energjisë së ripërtëritshme. Ajo përmendi gjithashtu ndikimin e CBAM-it në industrinë vendore dhe nevojën për investime të konsiderueshme në sektorin energjetik, njofton Energy Monitor.
Sipas saj, politikat industriale të gjelbra mund të shërbejnë si kornizë që lidh tranzicionin energjetik me zhvillimin ekonomik, rritjen e konkurrueshmërisë dhe krijimin e vendeve të punës, duke ndihmuar njëkohësisht përafrimin me objektivat e Bashkimit Evropian.
Qeveria: Fokus në ankande dhe efikasitet energjetik
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se investimet në burime të ripërtëritshme dhe në efiçiencë të energjisë mbeten prioritet i tranzicionit të gjelbër në Kosovë. Ajo theksoi se përmes ankandeve për energji solare dhe të erës është vendosur tashmë baza ligjore dhe rregullative për zhvillimin e projekteve të reja, ndërsa investimet në efiçiencë të energjisë do të vazhdojnë në mënyrë të qëndrueshme.
Sipas saj, financimi përmes granteve, kredive dhe mbështetjes nga Bashkimi Evropian mbetet vendimtar për realizimin e këtyre objektivave.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, theksoi rëndësinë e politikave industriale të gjelbra në mbështetje të bizneseve vendore. Ajo përmendi zgjerimin e skemave të granteve për investime të gjelbra, zhvillimin e parkut të parë eko-industrial në vend, nxitjen e ekonomisë qarkore dhe bashkëpunimin me institucionet arsimore për përgatitjen e kuadrove profesionale.
Sipas saj, përmes këtyre instrumenteve bizneset po përgatiten edhe për kërkesat që dalin nga CBAM, përfshirë matjen dhe raportimin e emetimeve të karbonit.
BERZH: Kosova duhet të ndjekë ritmin e zhvillimeve në rajon
Përfaqësuesi i BERZH për Kosovë, Sergiy Maslichenko, tha se institucioni financon rreth 120 milionë euro në vit në vend, nga të cilat rreth 70 për qind janë të orientuara në projekte të gjelbra, kryesisht në energji të ripërtëritshme dhe efiçiencë të energjisë.
Ai theksoi nevojën për përshpejtim të ankandeve dhe investimeve në mënyrë që Kosova të ndjekë ritmin e zhvillimeve në rajon. Sipas tij, është gjithashtu e nevojshme forcimi i koordinimit institucional dhe krijimi i një platforme të centralizuar për menaxhimin e projekteve energjetike.
KOSTT: Gjysma e kapaciteteve ndërkufitare mbeten të pashfrytëzuara
Kryeshefi i KOSTT, Trim Tërnava, tha se operatori i transmisionit është përgjegjës për balancimin në kohë reale të sistemit energjetik në përputhje me standardet evropiane. Ai bëri të ditur se KOSTT ka realizuar investime të rëndësishme që nga viti 2021, me mbështetje ndërkombëtare, për modernizimin e rrjetit dhe integrimin e kapaciteteve të reja, përcjell Energy Monitor.
Megjithatë, sipas tij, rreth 50 për qind e kapaciteteve ndërkufitare të transmetimit dhe shpërndarjes mbeten të pashfrytëzuara. Ai shtoi se po zhvillohet një hartë interaktive për identifikimin më të saktë të zonave të përshtatshme për investime dhe kyçje në rrjet.
FKEE: Investime dhe kursime nga efiçienca e energjisë
Drejtoresha e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Njomza Hoxha, tha se deri tani janë investuar rreth 40 milionë euro në masa të efiçiencës së energjisë në sektorin publik dhe rezidencial.
Sipas saj, këto investime kanë sjellë kursime deri në 25 GWh në vit. Ajo shtoi se Fondi do të vazhdojë me skema subvencionimi për shtëpi individuale dhe ndërtesa shumëbanesore, në bashkëpunim me komunat dhe sektorin bankar.



