Home / Lajme / Kosova / Bujar Haxha emërohet kryesues i Bordit të ESCorp, ndërmarrjes së re publike për ruajtjen e energjisë

Bujar Haxha emërohet kryesues i Bordit të ESCorp, ndërmarrjes së re publike për ruajtjen e energjisë

Energy Storage Corporation (ESCorp), ndërmarrja e re publike e Kosovës e themeluar për zhvillimin dhe operimin e sistemeve të ruajtjes së energjisë me bateri (BESS), ka emëruar Bujar Haxhën kryesues të Bordit të Drejtorëve.

Sipas njoftimit të MCA, Haxha është ekspert i financave me mbi 20 vjet përvojë në financë dhe kontabilitet, kryesisht në sektorin e energjisë. Gjatë karrierës së tij ai ka mbajtur pozita drejtuese në kompani ndërkombëtare si Energywell, Guroo Solutions Inc. dhe Vistra Energy, si dhe ka ushtruar funksione të larta financiare në General Electric, Con Edison dhe Entergy Nuclear Operations, ku ka qenë përgjegjës për operacionet financiare, menaxhimin e rrezikut dhe raportimin financiar.

Ai mban një diplomë Master në financa nga Manhattanville University, ndërsa ka përfunduar edhe programin FinTech Certificate në Harvard Business School Online, njofton Energy Monitor.

ESCorp u themelua muajin e kaluar si ndërmarrje publike përmes vendimit të Qeverisë së Kosovës, në kuadër të programit MCC Kosovo Compact, në bashkëpunim ndërmjet Qeverisë së Kosovës, Millennium Challenge Corporation (MCC) dhe Millennium Challenge Account Kosovo (MCA Kosovo).

Ndërmarrja është krijuar për të zhvilluar dhe operuar sisteme të avancuara të ruajtjes së energjisë me bateri, të cilat do të mbështesin balancimin e rrjetit elektroenergjetik, rezervat sekondare dhe terciare, rregullimin e tensionit, si dhe kapacitetet për rikthimin e sistemit në punë pas ndërprerjeve të mëdha të energjisë, njofton Energy Monitor.

Sipas MCA Kosovo, ESCorp pritet të luajë një rol të rëndësishëm në integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, rritjen e fleksibilitetit të sistemit elektroenergjetik dhe uljen e varësisë së Kosovës nga importi i energjisë elektrike, duke e bërë rrjetin më të qëndrueshëm dhe më të besueshëm.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com