Home / Lajme / Kosova / Hoti: Britania ul barrën në faturat e energjisë, Kosova po ua rrit koston qytetarëve

Hoti: Britania ul barrën në faturat e energjisë, Kosova po ua rrit koston qytetarëve

Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar politikat e Qeverisë në raport me koston e energjisë dhe barrën fiskale mbi qytetarët, duke e krahasuar situatën në Kosovë me vendimin e fundit të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për të ulur ngarkesat tatimore në faturat e energjisë elektrike.

Sipas Hotit, ulja e taksave mbi faturat e energjisë në Britani synon të zbusë koston e jetesës për familjet, ndërsa në Kosovë qytetarët janë përballur me rritje të vazhdueshme të çmimeve të energjisë.

“Me qëllim të zvogëlimit të kostos së jetesës për familje, puna e parë që bëri Kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar ishte ulja e ngarkesave tatimore në faturat e energjisë. Në Kosovë ndodh e kundërta”, shkroi Hoti.

Ai argumenton se, përveç rritjes së tarifave të energjisë elektrike, qytetarët janë prekur edhe nga rritja e çmimeve të derivateve të naftës, duke theksuar se TVSH-ja llogaritet mbi çmimin final të produktit, çka sipas tij rrit barrën financiare për konsumatorët, përcjell Energy Monitor.

Hoti shton se rritja e kostos së energjisë dhe e çmimeve të produkteve bazë detyron familjet të reduktojnë shpenzimet për arsim, shëndetësi, ushqim, kulturë dhe rekreacion, me pasoja afatgjata për mirëqenien dhe zhvillimin e tyre.

Sipas tij, në situata të tilla shteti duhet të ndërhyjë përmes lehtësimit të barrës tatimore, duke marrë përsipër një pjesë të kostos së rritur të jetesës.

“Qeverisja e mirë nuk matet vetëm me sa të hyra mbledh shteti, por matet me trendin e mirëqenies së qytetarëve”, përfundon Hoti.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com